19.5 C
Mitrovice
E martë, 9 Qershor, 2026
spot_img
spot_img

Kosova vendi i dytë më i varfër në Evropë, Kurti në Vjenë iu thotë se ekonomia e vendit dhe investimet e huaja janë rritur

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen e “Vienna Economic Forum – Meet Kosovo in Vienna 2026”, i cili këtë vit po mbahet nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës dhe kancelarit të Austrisë, Christian Stocker.

Në fjalën e tij në sesionin hapës me temën “Rruga e Kosovës drejt integrimit ekonomik dhe rritjes”, Kurti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë ndaj Kosovës, duke e cilësuar partneritetin ndërmjet dy vendeve si të qëndrueshëm dhe të ndërtuar mbi lidhje të forta njerëzore.

Ai ka theksuar rolin e mërgatës kosovare në Austri si një urë lidhëse mes dy shteteve, duke thënë se ajo kontribuon si në ekonominë austriake, ashtu edhe në forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Kurti ka përmendur gjithashtu investimet e kompanive nga diaspora në Kosovë, si dhe praninë e bizneseve austriake në vend, duke e vlerësuar këtë si dëshmi të rritjes së bashkëpunimit ekonomik.

Duke folur për integrimin ekonomik, ai ka theksuar se ai nuk arrihet vetëm përmes deklaratave politike, por përmes investimeve në infrastrukturë, energji, rrjete digjitale dhe tregti.

Komunikata e plotë:

Kryeministri në detyrë Kurti mori pjesë në hapjen e Forumit Ekonomik të Vjenës

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e “Vienna Economic Forum – Meet Kosovo in Vienna 2026”, që këtë vit mbahet nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe kancelarit të Republikës Federale të Austrisë, Christian Stocker.

Në nisje të fjalës së tij, në sesionin hapës “Rruga e Kosovës drejt integrimit ekonomik dhe rritjes”, kryeministri në detyrë Kurti shprehu falënderime dhe mirënjohje për miqësinë e kahmotshme dhe mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë ndaj Kosovës.

Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se partneriteti ndërmjet dy vendeve shkon përtej qeverive, sepse jeton nëpërmjet njerëzve. Në këtë kontekst, ai përmendi mërgatën e Kosovës në Austri, e cila kontribuon në shoqërinë austriake, forcon lidhjet ekonomike dhe shërben si urë lidhëse e gjallë ndërmjet dy shteteve.

Ai përmendi disa prej kompanive me pronarë nga mërgata në Austri, të cilët janë kthyer për të investuar, e po ashtu kompani austriake që kanë investuar në Kosovë. Ndërsa falënderoi kompanitë vendore pjesëmarrëse në Forumin Ekonomik të Vjenës.

Kryeministri në detyrë Kurti foli për integrimin ekonomik si strategji për rritje dhe mënyrën se si mund të ndërtohen kushtet për integrim kuptimplotë. Ai theksoi se integrimi ekonomik nuk bëhet vetëm nëpërmjet deklaratave, por nëpërmjet infrastrukturës, energjisë, rrjeteve digjitale, tregtisë dhe investimeve.

Teksa foli për rritjen e vazhdueshme ekonomike të viteve të fundit, rritjen e eksporteve si dhe atë të investimeve të huaja direkte, kryeministri në detyrë Kurti theksoi se Kosova është një nga vendet me performancën më të mirë të qeverisjes demokratike, transparencës dhe sundimit të ligjit në rajon.

Krahas afrimit me tregun evropian nëpërmjet lëvizjes së lirë të mundësuar nga liberalizimi i vizave për Zonën Shengen, ai tha se Kosova është pjesë e Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian dhe se po përgatitet që të bëhet pjesë e Zonës së Vetme të Pagesave në Euro – SEPA, e po ashtu e iniciativës “Roam Like at Home”, si veprime drejt integrimit në tregun evropian.

Në kontekst të masave për lehtësimin e integrimit ekonomik, kryeministri në detyrë Kurti foli për planet për ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore, për krijimin e rrjetit të brendshëm dhe për t’u lidhur me rajonin dhe Evropën.

Kryeministri në detyrë Kurti foli për ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme për dekada të tëra, ku krahas infrastrukturës dhe energjisë, investohet edhe në njerëz.

Ndërsa, për kompanitë që konsiderojnë investime në Ballkanin Perëndimor, ai theksoi se Kosova ofron një kombinim bindës: tatimin prej 10% për korporatat, euron si valutë zyrtare, fuqi punëtore të re dhe në rritje, si dhe rrugë të qartë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, e cila mundëson parashikueshmëri në rregullativën që e kërkojnë investitorët afatgjatë.

TË FUNDIT

TË FUNDIT