Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës kanë zënë vend edhe në mesin e raportimeve nga mediat më të mëdha ndërkombëtare.
Associated Press, Reuters, Al Jazeera janë vetëm disa nga kompanitë mediatike që po transmetojnë për anglisht-folësit rreth zgjedhjeve parlamentare që po mbahen për herë të tretë në 18 muaj.
Të tre këto e kanë cilësuar Kosovën si “vendin më të ri dhe më të varfër në Evropë”, duke theksuar se zgjedhjet e të dielës erdhën si pasojë e partive kryesore politike që nuk arritën të bien dakord deri në afatin e marsit se kush duhet të zëvendësonte ish-presidenten Vjosa Osmani.
Agjencia e lajmeve Associated Press (AP) vë në pah se kriza politike ka dëmtuar ekonomikisht Kosovën, e cila bart edhe barrën e problemeve të tjera globale.
“Kriza e zgjatur ka ndikuar negativisht në ekonominë e Kosovës, e cila tashmë është goditur rëndë nga kriza globale energjetike dhe rritja e çmimeve të karburanteve. Një nga vendet më të reja dhe më të varfra në Evropë shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, pas luftës së viteve 1998–99, e cila përfundoi me bombardimet e NATO-s që detyruan Serbinë të tërhiqej”, shkruan AP.
E këtë po e përjetojnë më së rëndi qytetarët e vendit, të cilët shpresojnë për një të ardhme më të mirë, raporton agjencia Reuters.
“Qytetarët e Kosovës janë të interesuar për përfundimin e ngërçit politik, ndërsa kërkojnë paga më të larta dhe mallra më të përballueshme për të përfituar nga një ekonomi në rritje”.
Një tjetër pikë e rëndësishme që po përmendet është se mungesa e një qeverie të qëndrueshme me institucione funksionale ka vonuar qasjen e Kosovës në BE dhe në fonde të tjera ndërkombëtare.
“Tensionet mbeten të larta në veri të Kosovës, ku jeton shumica e pakicës etnike serbe, por si Prishtina ashtu edhe Beogradi janë paralajmëruar se duhet të përmirësojnë marrëdhëniet për të ecur përpara në procesin e tyre të anëtarësimit në BE”, përmbyll Al Jazeera.




