Forca e Sigurisë së Kosovës, po merr pjesë në Konferencën e 22-të Ndërkombëtare të Liderëve të Lartë të Nënoficerëve Senior (ICC 2026), e cila po mbahet në Shkollën e NATO-s në Oberammergau të Gjermanisë.
FSK në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare përfaqësohet nga Rreshteri Major OR9 Ilir Rama, i cili po merr pjesë krahas liderëve të lartë ushtarakë nga vendet anëtare të NATO-s dhe shtetet partnere.
Konferenca, e organizuar nga Komanda Aleate e NATO-s për Transformim (ACT), ka në fokus sfidat aktuale të sigurisë globale, prioritetet strategjike dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet forcave ushtarake.
Gjatë punimeve të konferencës, Rreshteri Major Rama ka zhvilluar takime me homologë nga vende të ndryshme, duke shkëmbyer përvoja dhe praktika mbi zhvillimin profesional të nënoficerëve dhe rolin e tyre në strukturat moderne ushtarake.
“Zhvillimi i vazhdueshëm profesional i nënoficerëve mbetet një nga shtyllat kryesore të forcimit të kapaciteteve tona operacionale dhe të modernizimit të FSK-së”, është theksuar gjatë prezantimit të vizionit të Komandës së FSK-së në konferencë.
Sipas njoftimit të FSK-së, pjesëmarrja në këtë forum ndërkombëtar shërben si mundësi për thellimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe për shkëmbimin e përvojave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Shkëmbimi i mësimeve të nxjerra nga operacionet ndërkombëtare dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve aleate dhe partnere janë thelbësore për përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë”, u tha në kuadër të diskutimeve të konferencës.
Në konferencë po trajtohen gjithashtu përvojat nga operacionet ndërkombëtare, sfidat e reja të sigurisë dhe mënyrat për të rritur bashkëpunimin mes vendeve aleate dhe partnere, me qëllim avancimin e stabilitetit dhe sigurisë globale.





