16.5 C
Mitrovice
E shtunë, 30 Maj, 2026
spot_img
spot_img

Partia Fjala: Tradhtia bashkëshortore të trajtohet si vepër penale me 3 vjet dënim me burg

Përfaqësuesi i partisë Fjala, Gëzim Kelmendi, në ‘Debat Përnime’ tha se tradhtia bashkëshortore duhet të trajtohet si vepër penale dhe të dënohet me burg, si pjesë e masave për ruajtjen e familjes dhe shoqërisë.

“Tradhtia bashkëshortore kemi paraparë të jetë vepër penale e dënueshme me burg”, – deklaroi Kelmendi, duke shtuar se kjo masë do të shërbente si parandalim i fenomenit dhe forcim i lidhjeve familjare.

I pyetur se si do të provohej një rast i tillë në gjykatë dhe nëse policia do të duhej të hetonte raste të tilla, Kelmendi tha se në shumë raste palët e pranojnë vetë dhe se fokusi duhet të jetë te shkaku, e jo te pasoja.

“Ne përparësi i japim shkakut, jo pasojës”, – u shpreh ai, duke e krahasuar qasjen me logjikën e mjekësisë ku trajtohet shkaku i problemit.

Ai shtoi se ekzistenca e një dispozite të tillë në Kodin Penal do të kishte efekt parandalues.

“Nëse një çift e di që tradhtia dënohet me burg, atëherë lehtë nuk mund të ndodhë”, – tha ai.

Nga ana tjetër, kandidati tjetër i partisë Fjala, Avni Çakmaku, tha se në programin e tyre parashihet dënim deri në tre vjet burg për tradhti bashkëshortore, duke e lidhur këtë me konceptin e mbrojtjes së integritetit familjar dhe rregullimit ligjor të marrëdhënieve bashkëshortore.

Në debat u ngrit edhe çështja e bazës ligjore dhe përputhshmërisë me standardet evropiane dhe të drejtat e njeriut.

Çakmaku u shpreh se ligjet duhet të evoluojnë sipas nevojave shoqërore dhe se dënimet mund të rriten nëse nuk arrijnë efektin parandalues.

“Në momentin që ka degradim, duhet të ndodhin ndryshime”, – deklaroi ai./kallxo.com

TË FUNDIT

TË FUNDIT