Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi doli para mediave për të folur për disa nga planet kryesore të dikasterit, që lidhen si me angazhimet ndërkombëtare të Forcave të Armatosura, ashtu edhe me zhvillimin e industrisë ushtarake dhe menaxhimin e emergjencave në vend.
Ai u ndal fillimisht te një mision i mundshëm i Shqipërisë në Rripin e Gazës. Sipas tij, një ekip vëzhgues shqiptar është dërguar në terren për të parë nga afër situatën dhe për të vlerësuar kushtet për vendosjen e trupave.
Procesi po zhvillohet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe strukturat e forcave stabilizuese.
Misioni ende nuk është finalizuar plotësisht, pasi po përcaktohen rregullat e angazhimit, siguria e trupave dhe baza ligjore e operacionit. Ministri u shpreh se përfshirja e Shqipërisë do të mbështetet në përvojën e mëparshme në misione paqeruajtëse si Afganistani, Iraku dhe Bosnja.
“Jemi në fazën e vlerësimit në Rripin e Gazës për të parë mundësinë e vendosjes së trupave tona. Po koordinohemi me partnerët ndërkombëtarë për rregullat e angazhimit, sigurinë dhe detyrat që do të kenë njësitë tona. Deri tani nuk ka një vendim përfundimtar, pasi po përcaktohen aspektet ligjore dhe operacionale”,tha Nufi.
Gjithashtu foli edhe për planin e krijimit të një industrie të përbashkët ushtarake në rajon, në bashkëpunim me Kosovën dhe Kroacinë.
Ministri bëri të ditur se po zhvillohen diskutime për prodhimin e armatimeve dhe municioneve, me synimin që Shqipëria të mos mbulojë vetëm nevojat e saj, por të shndërrohet edhe në një aktor eksportues në këtë sektor.
Sipas tij, kuadri ligjor dhe financiar i krijuar së fundmi e lehtëson ndjeshëm zhvillimin e kësaj industrie, ndërsa bashkëpunimi me Kosovën shihet si natyral dhe strategjik.
“Po diskutojmë me Kosovën dhe Kroacinë për bashkëprodhim në industrinë ushtarake. Kuadri ligjor që kemi ndërtuar na jep mundësi reale zhvillimi. Qëllimi është të plotësojmë nevojat e sigurisë dhe njëkohësisht të krijojmë kapacitete për eksport.”-shtoi ministri.
Në pjesën e fundit të deklarimeve, ministri u ndal edhe te situatat emergjente në vend, sidomos gjatë sezonit të verës.
Forcat e Armatosura janë vendosur në gatishmëri për të mbështetur autoritetet vendore në rast zjarresh apo fatkeqësish natyrore, në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Ai bëri thirrje për kujdes të shtuar nga qytetarët, për të shmangur zjarrvëniet dhe dëmtimin e pyjeve dhe kullotave gjatë muajve të nxehtë.



