Profesori i ekonomisë, Shkumbin Misini, ka kritikuar mënyrën e shpërndarjes së pakove financiare nga Qeveria Kurti, duke vlerësuar se këto politika po ndikojnë në rritjen e inflacionit në vend.
Misini tha se shpërndarja e mjeteve financiare po bëhet “pa vizion, pa projeksion buxhetor dhe pa qëllim të shtimit të vlerës së parasë”, duke shtuar se kjo qasje nuk e zbut inflacionin, por e prodhon atë.
‘’Këto pakot po shpërndahen pa vizion pa projeksion buxhetor e pa qëllim të shtimit vlerës së parasë dhe kjo prodhon inflacion’’, tha Misini
Sipas profesorit të ekonomisë, ndihmat mund të kenë efekt afatshkurtër për shkak të nevojave emergjente të qytetarëve, mirëpo mungesa e investimeve strategjike dhe mosrritja e vlerës ekonomike do të sjellin pasoja afatgjata në ekonomi.
‘’Pra qeveria Kurti do të prodhojë inflacion nuk do ta zbusë, do ta zbusë në periudhën afat shkurt për shkak të nevojave emergjente që kanë qytetarët e Kosovës mirëpo shkenca e argumenton që mungesa e investimeve pa ndonjë strategji të mirëfilltë dhe pa shtim vlerë prodhon inflacion’’, tha Misini
Misini shkoi më tej duke e cilësuar këtë mënyrë të ndarjes së mjeteve si pjesë të korrupsionit, duke thënë se qeveria do të duhej të fokusohej në sigurime shëndetësore për fëmijët dhe barna esenciale për të moshuarit, në vend të rritjes së konsumit përmes shpërndarjes së parave.
‘’Mjetet financiare që ndahen ashtu është një përpjesëtim të një vepre penale të cilën po e bën Kurti dhe është pjesë e korrupsionit, nuk është blerje e votës por është korrupsion sepse qeveria aktuale më mirë kishte qenë të bënte sigurime shëndetësore për fëmijët tonë të kemi barna esenciale të moshuarit të cilët kanë nevojë për to e jo të shpërndajnë mjetë financiare për të rritur konsumin, ne jeni bërë shtet konusumues dhe nuk shtojmë vlerë’’, tha për FrontOnline profesori Misini.
Misini paralajmëroi se Kosova po shndërrohet në një shtet konsumues pa krijim të vlerës së re ekonomike dhe se stabilizimi i inflacionit, sipas tij, nuk pritet para mesit të vitit 2028.
‘’Do të kemi rritje të vazhdueshme të inflacionit, stabilizim inflacioni do të kemi në mesin e vitit 2028 nuk do të kemi stabilizim sepse qeveria nuk ka marrë ndonjë vendim të mirë kjo mënyrë është shumë e ulët kur nuk ka strategji’’, përfundon Misini.





