Si numër 1 në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka synim edhe një mandat.
Por ish presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po thotë se kandidimi i saj për një mandat të dytë nuk ka të bëjë me përfitime personale.
Në emisionin “Këndi i Debatit” me Ardi Visokën në Tëvë1, Osmani thotë se kjo është kërkesë e qytetarëve.
“Kjo nuk ka të bëjë aspak me emrin tim, por me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, të cilët, siç e dinë të gjithë, e kanë kërkuar edhe një mandat të dytë. Unë e kam dëgjuar atë zë, e kam dëgjuar zërin e qytetarëve të Kosovës dhe interesin e Republikës së Kosovës. Megjithatë, në asnjë moment kjo nuk lidhet me ndonjë ambicie personale, sepse unë e kam përfunduar atë ambicie; pra është qesharake të thuhet se po kërkoj diçka që unë veçse e kam pasur dhe e kam përfunduar si mandat”, u shpreh Osmani.
Ish-shefja e shteti i listoi edhe arritjet dhe punën që e bëri për pesë vite.
“Nga katër njohjet e reja, tek anëtarësimi si shtet themelues në një organizatë ndërkombëtare që është Bordi i Paqes, tek përfshirja e Kosovës në misione paqeruajtëse ndërkombëtare, tek fuqizimi i sistemit të mbrojtjes, e deri te shumë çështje të tjera që nuk diskutohen në baza ditore, si mbështetja e grupeve të margjinalizuara, mbështetja e fuqishme e grave dhe e fëmijëve me nevoja të veçanta, si dhe shumë tema të tjera që i kemi shtyrë përpara dhe i kemi shndërruar në kauza jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij. Unë e kam përfaqësuar Kosovën me dinjitet, kam treguar storien e popullit të Kosovës kudo në botë dhe jam siguruar që nuk ka cep të botës që nuk e di për krimet e Serbisë. Jam ballafaquar me Vuçiqin dhe me çdo lider të Serbisë, publikisht, në takime dhe në samite ndërkombëtare, dhe kudo tjetër kam mbrojtur interesin e Kosovës dhe vetëm të Kosovës. Nga një punë e tillë nuk ka përfitim personal; ka përfitim vetëm për Republikën e Kosovës”, tha ajo.
E kthyer në LDK pas disa vitesh, Osmani u pyet se deri ku mund të shkojë LDK me 7 qershor.
“Kemi pritshmëri pozitive. Nuk dua të flas me numra, sepse nuk do të ishte mirë nga ana ime, por megjithatë entuziazmi është shumë i madh, motivi i njerëzve është shumë i madh për të na përkrahur dhe për të na besuar këtë vizion. Kështu që mbesim me shpresë se me punën e përbashkët që do ta bëjmë edhe në ditët e mbetura do të kemi një rezultat të mirë”, tha Osmani.
Kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, ka deklaruar se do t’i ndjekë në rrugë ligjore deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët sipas saj kanë shpifur ndaj saj.





