Qeveria në detyrë ka mbajtur mbledhje elektronike, ku ndër të tjera ka marrë vendim që t’i ndajë dy milionë euro për mbështetjen e linjave të fluturimit për destinacionet që shërbejnë mërgatën.
“Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar sot mbledhje elektronike, në të cilën ka: Ndarë mjete buxhetore në shumë prej 2,000,000.00 euro (dy milionë euro), për zbatimin e Masës 4.5 ”Mbështetja e Mërgatës” të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për mbështetjen e linjave të fluturimit për destinacionet që shërbejnë mërgatën tonë”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Në mesin e vendimeve të tjera, Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës i janë ndarë 8,000 euro për pjesëmarrjen në Olimpiadën e 67-të Ndërkombëtare të Matematikës 2026, e cila do të mbahet më 21 korrik 2026 në Shanghai të Kinës.
Po ashtu, “Kosova Global Talent Center” do të mbështetet me 70,876.79 euro për pjesëmarrjen e 26 nxënësve në finalen e NEO Science Olympiad, që do të mbahet në korrik 2026 në New York të SHBA’ve.
Ndërkohë, Shoqatës së Kimistëve të Kosovës i janë ndarë 3,500 euro për pjesëmarrje në Olimpiadën Ndërkombëtare të Kimisë 2026, e cila do të zhvillohet nga 10 deri më 19 korrik në Tashkent.
Qeveria gjithashtu ka aprovuar listën e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme. /Insajderi.org




