22 C
Mitrovice
E enjte, 21 Maj, 2026
spot_img
spot_img

Tarifimi “i fshehtë” pas skadimit të pakove për përdoruesit e telefonisë mobile në Kosovë

Përdorues të shumtë të telefonisë mobile në Kosovë po përballen me tarifime automatike të internetit menjëherë pas skadimit të pakove mujore, shpesh pa e kuptuar se oferta u ka përfunduar. Ndryshe nga praktikat e mëhershme, kur interneti ndalej automatikisht pas konsumimit të pakos, tani operatorët vazhdojnë ofrimin e shërbimit duke aplikuar tarifa shtesë jashtë ofertës.

Shumë përdorues të telefonisë mobile në Kosovë po ankohen se po iu zbrazet llogaria menjëherë pas skadimit të ofertave mujore të internetit, ose po hyjnë në minus, pa e kuptuar në kohë se kanë kaluar në tarifim standard jashtë pakos.

Ndryshe nga praktikat e viteve më parë, kur interneti ndalej automatikisht pas konsumimit të pakos, tani operatorët vazhdojnë ofrimin e internetit edhe pasi oferta përfundon, duke kaluar përdoruesit në tarifim standard, në të ashtuquajturin “Pay As You Go”.

Qytetarët thonë se në shumë raste mjaftojnë vetëm pak minuta përdorim i pavërejtur i internetit që llogaria të zbrazet ose të kalojë në minus. Situata bëhet edhe më problematike për përdoruesit që nuk e kontrollojnë vazhdimisht statusin e pakos apo nuk e vërejnë menjëherë mesazhin paralajmërues, sidomos për përdoruesit më të moshuar.

Sipas qytetarëve, problemi kryesor nuk është vetëm çmimi i internetit jashtë pakos, por fakti se tarifimi fillon automatikisht, ndërsa aplikacionet në telefon konsumojnë internet edhe pa ndërhyrjen direkte të përdoruesit.

“E qita larg mendsh internetin për pak minuta dhe kur e hapa telefonin më ishte harxhuar krejt mbushja tjetër që e e kisha në telefon.”

Kështu e përshkruan përvojën e tij 24-vjeçari Arditi nga Prishtina, klient i IPKO-s, i cili thotë se mbeti pa kredi në telefon pak kohë pasi i kishte skaduar oferta mujore.

“Telefoni vazhdoi normalisht me internet. Nuk e pashë menjëherë mesazhin që kishte ardhur. Instagrami, TikToku dhe aplikacionet tjera vazhduan në sfond dhe për pak minuta më humbën disa euro mbushje,” thotë ai për Buletinin Ekonomik.

Ankesa të ngjashme po dëgjohen gjithnjë e më shpesh nga përdoruesit e telefonisë mobile në Kosovë.

“Edhe kur nuk e përdor aktivisht telefonin, aplikacionet harxhojnë internet në sfond. Deri sa ta shohësh mesazhin ose ta ndalësh internetin, llogaria veç të zbrazet,” thotë 32-vjeçarja Jehona, e cila tregon se kishte humbur rreth 8 euro kredi brenda një nate me operatorin Vala.

Sipas saj, shumë përdorues nuk e dinë se telefoni vazhdon të përdorë internet automatikisht edhe për përditësime të aplikacioneve, fotografi në cloud apo njoftime tjera të rrjeteve sociale.

“Jo secili e kontrollon çdo minutë statusin e pakos. Dhe operatorët e dinë këtë,” shton ajo.

Nga Vala kanë deklaruar se përdoruesit njoftohen në kohë reale përmes dy mesazheve automatike: kur arrijnë 80 për qind të konsumit të pakos dhe kur e konsumojnë plotësisht atë. Pas përfundimit të pakos mujore, përdoruesit kalojnë automatikisht në tarifimin standard “Pay As You Go”.

“Me arritjen e 100% të konsumit të pakos, përdoruesit njoftohen për tarifën që aplikohet për përdorimin e internetit jashtë pakos,” thuhet në përgjigjen e Vala-s.

Sipas operatorit, tarifat aktuale jashtë pakos janë ulur krahasuar me vitet e mëhershme dhe janë bërë “më të favorshme për konsumatorët”.

“Kjo tarifë është e konfiguruar në mënyrë që çmimi për përdorimin e 1 GB internet pa pako të jetë i njëjtë me çmimin e një pakoje shtesë të blerë paraprakisht. Kjo është bërë për të shmangur shpenzimet e pakontrolluara për përdoruesit edhe në rastet kur ata kanë neglizhuar njoftimet informuese dhe nuk kanë blerë pako shtesë apo nuk e kanë ndalur internetin në pajisjen e tyre”, shtojnë nga Vala.

Pra, sipas tyre, nëse një pako shtesë prej 1GB kushton 1.99 euro, atëherë edhe konsumi i 1GB internet jashtë pakos tarifohet me të njëjtin çmim.

Por përdoruesit thonë se problemi mbetet i njëjtë.

“Pse nuk ndalet automatikisht interneti si më herët? Nëse dua ta vazhdoj, le të më kërkohet konfirmim. Jo të vazhdojë vetë dhe unë me e marrë vesh kur t’më harxhohen paret,” thotë Besimi, 55 vjeç, nga Podujeva.

Ai tregon se kishte përfunduar në minus pa e kuptuar se oferta me internet i kishte skaduar.

“Më kishte ardhur mesazhi një ditë më herët në mëngjes, por nuk e kam parë. Interneti s’më është ndalë, ka vazhdu. Deri sa e vërejta, kisha hyrë në minus mbi 10 euro,” shton ai.

Ndërkohë, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), si rregullator i operatorëve telefonikë në Kosovë, ka konfirmuar se operatorët janë të obliguar të njoftojnë përdoruesit kur arrijnë 80% dhe 100% të konsumit të pakos, si dhe në momentin kur kalojnë në tarifim shtesë.

Megjithatë, rregullatori sqaron se pas dërgimit të njoftimit mbetet në “diskrecion të konsumatorit” nëse do ta ndërpresë apo vazhdojë përdorimin e internetit.

“Kjo përfshin detyrimin e njoftimit pas shpenzimit të 80% të të dhënave brenda pakos aktive dhe pas shpenzimit të 100% të të dhënave, duke e informuar konsumatorin se ka kaluar në shpenzime shtesë dhe duke specifikuar qartë tarifat për ato shërbime”, thuhet nga ARKEP.

Tek Vala, klientët përmes një mesazhi udhëzohen të hyjnë në një link shtesë për të parë tarifimet jashtë pakos, procedurë që sipas disa qytetarëve, mund të jetë më e vështirë për përdoruesit më të moshuar.

Tarifat jashtë pakos në Vala qëndrojnë kështu:

– Thirrjet drejt operatorëve tjerë në Kosovë: 17 cent për minutë

– Thirrjet brenda rrjetit Vala: 17 cent për minutë

– SMS në Vala: 6.2 cent

– SMS në operatorët tjerë: 8.2 cent

– SMS ndërkombëtare: 13 cent

– Interneti pa pako (Pay As You Go): 0.0005 cent për 100KB

Megjithatë, sipas qytetarëve, një mesazh paralajmërues shpesh nuk mjafton për ta mbrojtur konsumatorin nga shpenzimet e pavullnetshme, sidomos në kohën kur telefonat inteligjentë konsumojnë internet vazhdimisht në sfond.

Tarifat jashtë pakos në operatorin VALA
E Besa, 30 vjeçe, nga Prishtina, ka gjetur një mënyrë tjetër për t’iu ikur shpenzimeve të pavëmendshme. Ajo thotë se posa t’i vijë mesazhi nga IPKO që ka shfrytëzuar 80% të pakos, menjëherë e mbush telefonin, edhe pse i kanë mbetur ende megabajtë pa shfrytëzuar.

“Me ba m’u habit e mos me e pa, krejt paret t’i harxhon. Jashtë pakos, interneti është shumë i shtrejtë. Për atë e mbushi menjëherë si t’më vjen mesazhi për 80%”, thotë ajo.

IPKO ka kthyer një përgjigje përgjithësuese duke sqaruar se ofrimi i shërbimeve të saj bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe rregulloret e ARKEP-it.

“Klientët njoftohen rregullisht për shfrytëzimin e pakos së tyre përmes mesazheve informuese, përfshirë njoftimet kur arrijnë 80% dhe 100% të përfshirjeve të pakos. Pas konsumimit të plotë të pakos, përdorimi i mëtejshëm i shërbimeve vazhdon të tarifohet sipas çmimeve standarde në fuqi, për të cilat klientët informohen paraprakisht përmes njoftimeve përkatëse”, thuhet në përgjigjet e IPKO-s.

Megjithatë, në faqen zyrtare të operatorit, tarifat jashtë pakos paraqiten kështu:

– Thirrjet drejt IPKO-s: 18 cent për minutë

– Thirrjet drejt operatorëve tjerë: 18 cent për minutë

– SMS drejt IPKO-s: 6.2 cent për mesazh

– SMS drejt operatorëve tjerë: 8.2 cent për mesazh

– Ndërsa, për internetin mobil jashtë pakos në ueb faqe nuk është e specifikuar qartë tarifa për 100KB apo për njësi të tjera të konsumit.

Buletini Ekonomik raporton se IPKO nuk u mundëson përdoruesve as bartjen e gigabajteve të internetit të pashfrytëzuara pas skadimit të pakos mujore, duke bërë që ato të humbasin automatikisht. Ndërkohë, Vala jep disa mundësi, ku në raste të caktuara, p.sh nëse bëhet rimbushja e pakos së njëjtë para skadimit të ofertës mujore, ose 24 orë pas skadimit të pakos, lejon bartjen e gigabajtëve të pashfrytëzuar.

Përgjithësisht, ARKEP sqaron se aktualisht ekziston një limit standard prej 20 eurosh për konsum jashtë pakove, si për përdoruesit prepaid ashtu edhe për ata postpaid, përfshirë edhe përdoruesit pa pako aktive.

Por, sipas rregullatorit, çdo konsumator në momentin e nënshkrimit të kontratës mund të përcaktojë vetë limitin e shpenzimeve. Ky limit zakonisht varion nga 20 deri në 500 euro dhe mund të ndryshohet në çdo kohë me kërkesë të konsumatorit, theksojnë tutje nga Vala.

Pra, ndalja automatike e internetit sipas Rregullatorit nuk është obligative për operatorët në Kosovë. Këtu përjashtohen vetëm rastet e Roamingut, ku shërbimi duhet të ndërpritet automatikisht pas konsumimit të limitit.

“Për pakot që përfshijnë shërbimet roaming, pas shpenzimit të 100% të pakos, operatori duhet të ndërpresë menjëherë ofrimin e shërbimit dhe tarifimin e klientit, përveç rasteve kur klienti kërkon vazhdimin e shërbimit”, thuhet nga ARKEP.

E për të gjitha këto shqetësime, ARKEP njofton se gjatë vitit 2026 kanë pranuar vetëm dy ankesa lidhur me tarifimet pas skadimit të pakove të internetit dhe se konsumatorët janë kompensuar për vlerat mbi kufirin e lejuar.

Kurse, sipas zëdhënësit për komunikim publik në Vala, Fadil Lepajës, ankesat nga klientët janë minimale dhe, në shumicën e rasteve, vijnë nga përdorues që neglizhojnë njoftimet për konsum të pakove.

Megjithatë, qytetarët besojnë se numri real i rasteve është shumë më i madh.

“Shumica edhe nuk ankohen fare. Veç e mbushin telefonin prapë dhe vazhdojnë. Po edhe nëse shkon me u anku në zyrë, nuk e shkruajnë ata si ankesë taman, pa ua dërgu si ankesë të shkruar”, thotë Arditi.

E në një kohë kur shumica e qytetarëve përdorin internetin mobil çdo ditë për rrjete sociale, video dhe komunikim, tarifimi automatik pas skadimit të ofertës vazhdon të mbetet një nga praktikat më të diskutueshme në tregun e telefonisë mobile në Kosovë. Ndërsa përdoruesit kërkojnë më shumë transparencë dhe kontroll mbi shpenzimet e tyre, ARKEP thekson se operatorët nuk mbështeten në një rregullore specifike që përcakton mënyrën e funksionimit të pakove të kombinuara me internet, minuta dhe SMS. Megjithatë, ata thonë se Rregullorja nr. 61 për Kontratat, Transparencën, Publikimin e Informatave dhe Masat Mbrojtëse për Përdoruesit Fundorë parasheh obligimet bazë që operatorët duhet t’i respektojnë ndaj konsumatorëve, veçanërisht sa i përket transparencës dhe informimit të përdoruesve. /Buletini Ekonomik/

TË FUNDIT

TË FUNDIT