Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 20 maj 2026 në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 17 raste të fruthit, duke ngritur shqetësime për përhapje të mëtejshme të sëmundjes shumë ngjitëse.
Sipas të dhënave zyrtare, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Ferizaj me gjashtë raste, pasuar nga Prishtina me katër raste dhe Kaçanik me tre raste. Nga një rast është raportuar në Lipjan, Fushë Kosovë, Gjilan dhe Shtime.
Sipas IKShPK-së, të gjitha rastet e konfirmuara kanë qenë tek persona të pavaksinuar me vaksinën MMR kundër fruthit, shytave dhe rubellës, ndërsa të gjithë pacientët kanë pasur nevojë për trajtim spitalor.
“Ky fakt dëshmon për potencialin serioz të komplikimeve që mund të shkaktojë fruthi”, thuhet në njoftimin e institutit.
Instituti u ka bërë thirrje urgjente prindërve që të kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë vaksinimin në qendrat e mjekësisë familjare në komunat përkatëse.
“Çdo vonesë në vaksinim rrit rrezikun për përhapje të mëtejshme të sëmundjes dhe komplikime serioze, veçanërisht tek fëmijët dhe personat me imunitet të dobësuar”, thekson IKShPK.
Autoritetet shëndetësore gjithashtu rekomandojnë shmangien e kontakteve me persona që shfaqin simptoma të dyshimta si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë dhe rrufë, ndërsa personat me simptoma duhet të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore.
IKShPK ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore, po monitoron në mënyrë aktive situatën epidemiologjike dhe po zbaton masa konkrete në terren, përfshirë identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar, kontaktimin e prindërve dhe angazhimin e ekipeve mobile të vaksinimit, sidomos në zonat me mbulueshmëri më të ulët të vaksinimit.
“Mbrojtja e shëndetit publik është përgjegjësi e përbashkët”, apelon IKShPK, duke kërkuar bashkëpunim dhe përgjegjësi nga qytetarët për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe komunitetit.




