Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, i ftuar në emisionin “Pika e ditës”, ka folur për gjendjen e rëndë të punëtorëve në sektorin privat, duke e cilësuar si “krim” mënyrën se si po trajtohen ata.
Azemi paralajmëroi protesta dhe greva nga punëtorët teknikë në disa shkolla të Prishtinës, për shkak të mosmarrjes së pagave.
“Ne kemi paralajmëruar protestë të hënën, e nëse nuk zgjidhet problemi, të martën hyjmë në grevë. Rreth 20 shkolla në Prishtinë do të përfshihen, pasi punëtorët teknikë nuk i kanë marrë pagat, të cilat janë vetëm 391 euro”, deklaroi ai.
Sipas Azemit, situata e punëtorëve në Kosovë mbetet shumë shqetësuese, ndërsa theksoi se një pjesë e madhe e tyre punojnë pa kontrata pune.
“Bazuar në të dhënat e Bankës Botërore, 33 për qind e punëtorëve në Kosovë nuk kanë kontrata pune, por ne mendojmë se numri është edhe më i madh. Ka kompani që me dekada operojnë dhe ende nuk janë të regjistruara”, tha Azemi.
Ai akuzoi institucionet se janë të informuara për problemet në sektorin privat, por sipas tij mungon veprimi konkret.
“Po tregojmë realitetin. Është krim çka po ndodh me punëtorët e sektorit privat, ndërsa të gjitha institucionet i kanë këto probleme në tavolinë”, përfundoi Azemi.




