12.3 C
Mitrovice
E enjte, 7 Maj, 2026
spot_img
spot_img

Bashkimi i bashkohet Trepçës në finale

Bashkimi i Prizrenit e ka eliminuar të mërkurën mbrëma Borën dhe ka avancuar në finale të plejofit të elitës së basketbollit kosovar.

Pas fitores bindëse në ndeshjen e pestë të serisë finale me rezultatin 100:76, Bashkimi e Trepça, njësoj si në edicionin e kaluar, do të luajnë për titull kampioni.

Bashkimi e fitoi serinë e gjysmëfinales ndaj Borës 3:2.

Ndeshja e parë në Prizren u mbyll 73:70, ndërsa në Prishtinë në duelin e dytë, Bora fitoi 76:75. Bashkimi fitoi sërish në Prizren 88:73, njësoj si Bora në përballjen e katërt, 104:99.
Por, dueli i pestë i zhvilluar në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren ishte vendimtar.

Me përkrahjen e madhe të tifozëve, Bashkimi shpërtheu në çerekun e tretë ku nisi edhe shkëputja në rezultat. Deri në fund të përballjes, “portokallezinjtë” e ruajtën epërsinë për fitore që i dërgon në finale.

Bora e fitoi 23:19 periudhën e parë, ndërsa Bashkimi triumfoi në të dytin 28:21.
Edhe më thellë, 28:19, Bashkimi e fitoi çerekun e tretë, ndërsa në periudhën e fundit ishte bindës dhe e ruajti epërsinë e krijuar.

Shanon Shorter shkëlqeu me 20 pikë, tetë kërcime e gjashtë asistime në fitore. Kontribut të madh dha edhe Lejson Zeqiri me 23 pikë, gjashtë kërcime e dy asistime.

Ike Nwamu i shënoi 21 pikë, pesë asistime e dy kërcime.

Ndërkohë te Bora lojë të mirë pati Tyler Cheese me 21 pikë, shtatë kërcime e katër asistime. Rron Ukaj pati lojë të mirë po ashtu me 15 pikë e pesë kërcime, por nuk mjaftuan për ta shmangur humbjen dhe eliminimin.

Finalet tani do të luhen me katër fitore, ndërsa do të luhen të dielën dhe të mërkurën.
Seria finale nis të dielën në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, nga ora 19:30. Trepça do ta ketë përparësinë e terrenit vendës pasi në stinorin e rregullt përfundoi në pozitën e parë, kurse Bashkimi në të dytin.

Trepça në gjysmëfinale e eliminoi Pejën me rezultatin 3:1 në seri. Bora ndërkohë befasoi duke fituar përballë Prishtinës në çerekfinale, por ishte e pafuqishme përballë Bashkimit, nënkampionit të Kosovës.

TË FUNDIT

TË FUNDIT