James Carafano, ekspert amerikan i mbrojtjes dhe pjesë e Heritage Foundation, në një intervistë ekskluzive për T7 ka kritikuar Kosovën se nuk po bën aq sa duhet karshi interesimit amerikan për rajonin.
Ai ka thënë se SHBA dhe qeveria amerikane janë duke kërkuar partneritete dhe njerëz që bëjnë marrëveshje konkrete, por thotë se një gjë e tillë s’po shihet nga ana e Kosovës.
“Mendoj që Kosova dhe ShBA-të kanë pasur gjithmonë marrëdhënie të forta. Kosova është ndoshta një nga vendet më pro-amerikane në të gjithë Evropën. Mendoj se është shumë e rëndësishme që amerikanët ta kuptojnë këtë. Por, nëse jam i sinqertë, mendoj se Kosova ka lënë shumë mundësi të pashfrytëzuara. Kemi një qeveri amerikane që dëshiron të punojë me këtë rajon, që dëshiron të krijojë partneritete, që kërkon njerëz që të shkojnë në ShBA dhe të sjellin marrëveshje konkrete në tryezë. Dhe, sinqerisht, nuk mendoj se po e shohim këtë”, ka thënë Carafano në një intervistë me gazetaren e T7, Elma Sylejmani.
Ai ka përmendur edhe një konferencë të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane dhe thotë se askush nga Qeveria e Kosovës s’ka qenë. Sipas tij, është koha që të përqafohet partneriteti amerikane dhe jo të injorohet.
“Kishte një konferencë të madhe para disa ditësh me Dhomën Amerikane të Tregtisë, dhe nuk besoj se dikush nga qeveria mori pjesë për të qenë pjesë e saj. Këtë nuk e kuptoj. Tani është koha për ta përqafuar partneritetin amerikan, jo për ta injoruar atë.”, ka thënë Carafano.
Ai ka shtuar se është koha për thellimin e partneritetit strategjik me SHBA-në dhe se kushdo që vjen në Qeveri, duhet ta ketë fokus një gjë të tillë.
“Nuk është detyra jonë të zgjedhim fitues dhe humbës në vende apo zgjedhje, ne fokusohemi në marrëdhëniet mes shteteve. Mendoj se një partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara është shumë i rëndësishëm për Kosovën, veçanërisht tani sepse kjo administratë presidenciale nën Presidentin Trump ka treguar vërtet shumë interes për këtë pjesë të Evropës dhe veçanërisht për rajonin. Ne sapo kemi njoftuar një marrëveshje të madhe për gazsjellës me Kroacinë dhe Bosnjën, investime masive në Kroaci në qendra të të dhënave, investime të mëdha në Greqi. ShBA sapo ka njoftuar një investim të madh në Poloni. Prandaj mendoj se tani është koha për ta thelluar vërtet këtë partneritet strategjik. Dhe do të thoja që kushdo që e udhëheq qeverinë, fokusi i tij duhet të jetë realisht te angazhimi me ShBA-në dhe ndërtimi i këtij partneriteti.” ka deklaruar Carafano./GazetaExpress/




