Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, emëroi tre zëvendësministra të rinj, ndonëse vendi pritet të mbajë zgjedhjet e parakohshme më 7 qershor.
Bajrami ka akuzuar Kurtin për abuzim me pozitën zyrtare dhe shpërdorim të buxhetit të shtetit, duke thënë se një qeveri në dorëheqje ka kompetenca të kufizuara.
“Kur një qeveri është në dorëheqje, ministrat kanë kompetenca të kufizuara dhe nuk punojnë me kapacitet të plotë. E pikërisht në këtë situatë Kurti po emëron zëvendësministra”, ka shkruar ajo.
Sipas Bajramit, emërimet nuk po bëhen për nevoja institucionale, por për përfitime financiare.
“Po i emëron që të marrin pagë nga buxheti i shtetit, pa bërë asgjë. Kjo është zhvatje e buxhetit – është abuzim me pozitën zyrtare”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo shtoi se veprimet e tilla krijojnë standarde të rrezikshme në qeverisje dhe, sipas saj, tregojnë trajtimin e shtetit si “pronë partiake”.
“Është koha të shkoni në opozitë se e keni grryer shtetin”, përfundoi Bajrami në reagimin e saj.




