3.6 C
Mitrovice
E premte, 1 Maj, 2026
spot_img
spot_img

Dënohet një serb në Kroaci, shkroi “Kosova është Serbi” në veturën me targa të Kosovës

Gjykata e Qarkut në Rijekë të Kroacisë, më 29 prill 2026, ka caktuar masën e paraburgimit për një shtetas 25-vjeçar të Serbisë, i cili dyshohet për veprën penale të dëmtimit të pronës së tjetrit dhe nxitjes publike të dhunës dhe urrejtjes.

Paraburgimi ndaj tij është caktuar në mungesë, pasi i dyshuari është i paarritshëm për organet e drejtësisë kroate dhe, sipas vendimit të gjykatës, ndodhet në arrati.

Sipas përmbajtjes së vendimit, ngjarja ka ndodhur më 31 gusht 2022, midis orës 00:00 dhe 00:30, në Opatija, në rrugën “Mareshal Tito”.

“Bëhet fjalë për hapësirën e parkimit të hotelit ‘Kristal’, ku ndodhej automjeti i tipit Audi, me ngjyrë të bardhë dhe targa të Kosovës, në pronësi të një shtetasi të Kosovës. I dyshuari akuzohet se me një markues me ngjyrë të zezë, në kapakun e motorit të makinës ka vizatuar një kryq të rrethuar nga katër shkronja ‘S’ cirilike, ndërsa poshtë tij ka shkruar me alfabet cirilik ‘Kosovo je Srbija’ (Kosova është Serbi). Me këtë veprim, sipas pretendimeve nga procesi, pronarit të automjetit i është shkaktuar një dëm material në vlerë prej rreth 398 eurosh”, ka raportuar media kroate “Fiuman”.

Sipas këtij raportimi, një pjesë veçanërisht rënduese e rastit lidhet me faktin se i dyshuari, sipas dyshimeve të prokurorisë së shtetit, e ka filmuar të gjithë aktin me celular dhe më pas videon e ka publikuar në profilin e tij në Instagram.

Prokuroria vlerëson se përmes këtij publikimi, ai ka bërë të disponueshëm për publikun një përmbajtje që bën thirrje për dhunë ose urrejtje ndaj një grupi njerëzish ose një anëtari të grupit për shkak të përkatësisë së tyre fetare, kombëtare dhe etnike, gjuhës dhe origjinës.

Nga vendimi i gjykatës rezulton se dyshimi i bazuar mbështetet në kallëzimin penal të Drejtorisë Policore të rajonit Primorsko-Goranska, përkatësisht Stacionit Policor të Opatijës, si dhe në provat e mbledhura, mes të cilave janë shënimet zyrtare, fotografitë e automjetit të dëmtuar, pamjet e kamerave të vëzhgimit të hotelit “Kristal”, publikimi nga rrjeti social Instagram dhe materiale të tjera të mbledhura gjatë hetimit kriminalistik.

TË FUNDIT

TË FUNDIT