Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka refuzuar propozimet e kryeministrit Albin Kurti lidhur me çështjen e presidentit, duke i cilësuar ato si manovra politike dhe jo serioze, derisa ka theksuar se për PDK-në kjo çështje tashmë është e mbyllur.
Hamza tha se Kurti po tenton të shmangë përgjegjësinë për mungesën e krijimit të institucioneve duke fajësuar të tjerët.
“Propozimet e radhës, apo manovrat e radhës politike të zotit Kurti, me qëllim që të veç me gjet faj edhe fajtorë, për me ia adresuar moshkathtësinë e tij për vendit me i dhënë institucione. Përndryshe ka pas kohë të mjaftueshme me i bë të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë serioze, të përgjegjshme, në mirëbesim dhe në besim reciprok e në partneritet, jo me tentu që me oferta jo serioze nëpër media e me drejtuar te opinionit publik. Për Partinë Demokratike të Kosovës kjo çështje, e kam deklaruar se veç është e mbyllur. Për me diskutu gjëra të gjata, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës është bërë publik përmes një deklarate politike nga Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës, që përkundër vullnetit konstruktiv, me qëllim që vendi të ketë institucione, stabilitet institucional e politik, nuk kemi pa mirëkuptim nga zoti Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje. Dhe për Partinë Demokratike të Kosovës kjo çështje është e mbyllur. Është e mbyllur, dhe ne kthehemi te qytetarët, te anëtarësia jonë, te strukturat”, tha ai.
Ai theksoi se propozimet e bëra nuk mund të konsiderohen oferta dhe se mungon serioziteti nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Nuk është ofertë. Çfarë oferte? Për ne nuk është ofertë. Çfarë oferte? Aspak serioze. Ne jemi parti të ndryshme politike. Lidhja Demokratike e Kosovës është subjekt politik në vete. Partia Demokratike e Kosovës është subjekt politik në vete. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është subjekt politik në vete. Aleancën s’e ka ftu fare. Me Lidhjen Demokratike të Kosovës po, tjetër ofertë. Me Partinë Demokratike të Kosovës kemi bisedu për çështjen e presidentit. Nuk është kjo çështje e donjë rehatimi të ndonjë individi në pozicione të caktuara, por është çështje shumë serioze, e cila ka mujt, ka pas mundësi me u diskutu në tryeza dhe takime kur kemi qenë bashkë. Po përndryshe nuk ka pas seriozitet nga Lëvizja Vetëvendosje, qysh nuk ka pas seriozitet as tash”, tha ai.
Hamza shtoi se qëndrimi i PDK-së tashmë është i qartë dhe se propozimet aktuale kanë për qëllim vetëm konsum politik.
“Ne e kemi dhënë përgjigjen, ne i kemi dhënë përgjigjet e duhura. Nuk janë oferta serioze, këto krejt janë manovra politike me qëllim konsumin politik”, tha ai./Gazeta10




