18.2 C
Mitrovice
E shtunë, 25 Prill, 2026
spot_img
spot_img

VV propozon zgjidhje kompromisi: I kërkon LDK-së dhe PDK-së tre emra për Presidentin

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur mbrëmë mbledhjen e Kryesisë, ku janë diskutuar zhvillimet e fundit politike, si dhe hapat dhe qëndrimet e nevojshme në funksion të interesit publik dhe shtetëror.

Në fokus të diskutimit ka qenë situata e krijuar rreth zgjedhjes së Presidentit, për të cilën kjo parti vlerëson se një proces i ri zgjedhor do t’i shkaktonte dëme të konsiderueshme vendit. Sipas njoftimit, VETËVENDOSJE! ka ndërmarrë tashmë disa hapa konkretë për të gjetur një zgjidhje, por, pavarësisht propozimeve të shumta, thotë se ka hasur vetëm në refuzim nga partitë e tjera.

Në këtë kontekst, për të shmangur zgjedhje të reja dhe për të ruajtur stabilitetin institucional, partia ka dalë me një propozim të ri, të cilin e cilëson si konkret dhe përbashkues.

VETËVENDOSJE! u ka bërë thirrje PDK-së dhe LDK-së që të propozojnë së bashku tre kandidatë për President, nga të cilët do të mund të zgjidhet kreu i ri i shtetit nga legjislatura e dhjetë. Sipas këtij propozimi, kandidatët duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, kontribut të dëshmuar profesional dhe shoqëror, si dhe jashtë skenës aktuale politike.

Po ashtu, bëhet e ditur se këta kandidatë do të siguroheshin të paktën 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Në këtë rast, paraprakisht do të tërhiqeshin nga kandidatura zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, si dhe deputetja Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Duke theksuar se koha është e kufizuar për shkak të afateve kushtetuese, VETËVENDOSJE! pret përgjigje nga partitë opozitare deri të dielën në mbrëmje.

Një zgjidhje duhet të gjendet, sepse ajo është e mundshme. Duhet të angazhohemi së bashku, pasi kjo është përgjegjësi që buron nga besimi i qytetarëve”, thuhet në njoftim.

TË FUNDIT

TË FUNDIT