Ka ndërruar jetë papritmas ish-drejtoresha e Arsimit në Shtime dhe asambleistja aktuale, Yllka Fejzullahu.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i komunës, Qemajl Aliu.
Ai ka shkruar se humbja e parakohshme e Fejzullahut është lajm tronditës dhe pikëllues.
“Lajm tronditës, fort i trishtë e pikëllues, humbja e parakohshme e Drejtoreshës Yllka FejzullahuBashkaktivistja e ditëve të para të Lëvizjes, mikja jonë e shquar, asambistja jonë e parë në Kuvend Komunal, Kryetarja e GVV-së, vajza shembullore e urtë, punëtore e intelektuale, na la duke na shkaktuar humbje të madhe. Yllka ishte drejtoreshë e spikatur e arsimit, që me punën e kontributin e saj ishte frymëzim për çdo të re në komunën tonë, e cila i dha kahje reformës arsimore në Shtime. Ajo ishte e pakompromis ndaj parimeve dhe tërë jetën e kaloi me integritet të lartë e dinjitet të dalluar njerëzor, intelektual e kulturor. Si pinjolle e një familjeje me themel intelektual e kombëtar, në kulmin e karrierës së saj, pas një sëmundjeje të shkurtër, parakohshëm e në ditët e saj më të mira, na la duke na pikëlluar fort neve bashkaktivistëve të saj, por edhe të gjithë qytetarëve të Shtimes e më gjerë. Vajza e hekurt, aktivistja shembullore, drejtoreshja e spikatur e arsimit në komunën tonë, do të mbahet mend gjatë mes nesh për vlerat që përçoi ndër vite, por edhe për kontributin e saj institucional, politik, arsimor e kulturor. Yllka, do na mungosh shumë mikja jonë. U prehsh në paqe dhe shpirti yt i bardhë e i dëlirë u bëftë dritë” shkruan kryetari në njoftim.




