Deputetja nga radhët e LVV-së, Jeta Statovci, deklaroi sot se sektori i energjisë është më i cenuari prej vitesh.
“Kosova nuk është vend që i plotëson nevojat e veta energjetike. Varet nga furnizimi i jashtëm dhe ky furnizim ndryshon brenda afateve rekorde, sidomos në varësi të rrethanave globale” u shpreh ajo, në seancën e sotme të jashtëzakonshme.
Përpara deputetëve, Statvoci thotë se problemi në sektorin e energjisë është sistemik dhe kronologjik, teksa diskutimi për këtë sektor ka nisur qysh prej vitit 2005.
Sipas saj, projektet për avancimin e sektorit energjetik dështuan nga shkaqe të panjohura, teksa institucionet nuk ishin të audituara.
“Raportet tregojnë se nga viti 2007 deri në vitin 2017, KEK-u ka pasur mbi 10 mijë aktivitete të prokurimit publik me vlerë 1.3 miliardë euro, pa e rritur asnjë kapacitet prodhues dhe gjeneruar kapacitete shtesë energjetike”, shtoi Statovci.
Tutje, ajo u shpreh se 10 kompanive iu jipeshin tenderët milionëshe.
“Befasisht, përveç që nuk u investua në rritjen e kapaciteteve prodhuese, kishte edhe kontrata interesante që lidheshin edhe për eksportin e energjisë nga asetet tona vendore, në kompanitë e huaja”, deklaroi Statovci.
Sipas saj, opozita ka siklet nga pamundësia për të keqpërdorur me KEK-un.




