8.7 C
Mitrovice
E martë, 21 Prill, 2026
spot_img

Quni: Oferta e fundit e Kurtit ndaj LDK-së, shantazh i pastër politik

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend, në veçanti për çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke paralajmëruar mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme nëse nuk arrihet një zgjidhje brenda afatit kushtetues.

Ai ka thënë se situata aktuale është pasojë e mungesës së konsensusit politik dhe ka kritikuar mënyrën se si është trajtuar procesi nga ana e pushtetit.

Në një deklaratë për portalin Lajmi.net, Quni tha se shkëmbimi i posteve ministrore nuk është ftesë nga Kurti por tentim për shantazh të pastër politik dhe se LDK nuk është pjesë e pazareve të tilla.

“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që anuloi dekretin e 6 marsit, vendi ynë ndodhet në një udhëkryq kritik. Kur na ndajnë edhe pak ditë nga skadimi i afatit kushtetues, si deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dëshiroj të sqaroj pozicionin tonë përballë zhvillimeve të fundit: Oferta e fundit që qarkulloi në takimet e djeshme të 20 prillit — ku u përfol për shkëmbim postesh ministrore me votën për Presidentin nuk është ftesë për bashkëpunim, por shantazh i pastër politik. LDK nuk bëhet pjesë e pazareve që cenojnë dinjitetin e institucioneve. Ne mbrojmë parimin se Presidenti i vendit duhet të jetë simbol i unitetit, e jo një “zgjatim” i pushtetit ekzekutiv apo i një partie të vetme”, tha Quni.

Quni ka bërë të ditur se përpjekjet për të arritur një marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje tashmë konsiderohen të përfunduara.

“LDK i konsideron të mbyllura përpjekjet për të gjetur një gjuhë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje sa i përket këtij procesi. Gjatë 53 ditëve të fundi, ne kemi treguar vullnet maksimal dhe konstruktivitet për të ofruar zgjidhje që nxjerrin vendin nga kriza. Megjithatë, ky vullnet nuk u ndesh me asnjë reflektim nga ana tjetër. Nëse deri më 28 prill nuk sigurohet kuorumi i nevojshëm prej 80 votash, vendi do të shkojë pashmangshëm në zgjedhje të parakohshme”, tregoi ai

Ai ka shtuar se përgjegjësia për dështimin e procesit bie mbi qeverinë aktuale.

“Barra e dështimit bie tërësisht mbi qeverinë, e cila refuzoi të ofronte një kandidat konsensual, duke u barrikaduar pas një emri të vetëm partiak. Fokusimi ynë tashmë është zhvendosur drejt mobilizimit të brendshëm dhe konsolidimit të së djathtës shqiptare”, tha deputeti Quni për lajmi.net

Sipas tij, zgjedhjet mbeten zgjidhja e fundit në mungesë të një marrëveshjeje politike. Megjithatë, ai nuk e përjashton mundësinë e ndryshimeve në ditët në vijim.

“Zgjedhjet janë mjeti i fundit demokratik. Edhe pse ato sjellin vonesa në proceset shtetërore, ato janë më të preferueshme sesa një institucion i kapur që nuk përfaqëson vullnetin e të gjithë qytetarëve. Edhe pse në politikë shtatë ditë mund të sjellin kthesa, kjo mund të ndodhë vetëm nëse ka një reflektim të thellë mbi interesin nacional përballë atij partiak”, u shpreh Quni.

TË FUNDIT

TË FUNDIT