Një rast i dyshuar i falsifikimit të parasë është raportuar në Mitrovicën e Veriut, pasi një banknotë e dyshimtë është identifikuar gjatë një depozitimi në bankë.
Ngjarja lidhet me datën 16 mars 2026 rreth orës 09:30, në rrugën “Zoran Đinđić”.
Siç mëson ekskluzivisht Sinjali, më 20 prill 2026, menaxheri i Raiffeisen Bank, N. A, ka dorëzuar në Stacionin Policor Mitrovicë Veri një banknotë prej 50 euro, për të cilën dyshohet se është e falsifikuar.
Sipas informacioneve, banknota kishte ardhur nga një depozitë e realizuar nga dëshmitari R. R rreth 43 vjeç, në cilësinë e agjentit të shitjes, i cili kishte deponuar në bankë një shumë prej 9 mijë e 750 euro, që përfaqësonte pazarin ditor të kompanisë “PP ICE PLUS”.
Gjatë kontrollit të brendshëm të parasë së depozituar, është identifikuar banknota e dyshimtë, e cila më pas është veçuar dhe është raportuar në polici për procedura të mëtejme.
Pas njoftimit, hetuesi kujdestar në konsultim me prokurorin e shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Falsifikim i parasë”.
Aktualisht nuk ka persona të dyshuar të identifikuar, ndërsa banknota është sekuestruar dhe pritet t’i nënshtrohet ekzaminimeve për të verifikuar autenticitetin.
Rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt dhe mbetet nën hetime.




