14.2 C
Mitrovice
E hënë, 20 Prill, 2026

Këto janë të gjitha vendimet që mori sot Qeveria

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, në të cilën ka miratuar një varg projektligjesh dhe vendimesh me rëndësi në fusha të ndryshme, nga ekonomia dhe tregtia, te siguria dhe integrimet evropiane.

Në mesin e vendimeve kryesore është miratimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të EFTA-s (Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra), e cila synon liberalizimin e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve dhe përmirësimin e qasjes në treg për investime.

Po ashtu, Qeveria ka miratuar disa projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve financiare me Bashkimin Evropian në kuadër të programeve IPA 2019 dhe IPA 2020, si dhe një sërë protokollesh shtesë në kuadër të CEFTA-s që lidhen me tregtinë në shërbime, lehtësimin e tregtisë dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Në fushën e reformës së administratës publike, është miratuar projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që lidhen me racionalizimin dhe vendosjen e vijave të llogaridhënies së agjencive ekzekutive.

Ndër projektligjet e tjera të miratuara janë edhe ai për inovacion dhe ndërmarrësi, për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, si dhe për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave.

Qeveria ka marrë edhe vendime në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme, duke shpallur Organizatën e Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) si organizatë terroriste në territorin e Kosovës.

Gjithashtu, është miratuar vendimi për themelimin e trupave institucionale për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në kuadër të vendimeve financiare, Qeveria ka ndarë mbi 20 mijë euro për kontributin vjetor në Qendrën Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatë, si dhe 100 mijë euro për organizimin e ngjarjes ndërkombëtare “Future Industry Minds 2026” në Gjermani.

Ndër vendimet e tjera, është emëruar Shaban Neziri si kryesues i Bordit të Drejtorëve të “Telekomit të Kosovës”, si dhe janë miratuar kërkesat për dhënien me qira të hapësirave në Terminalin Doganor në Han të Elezit për veprimtari gastronomike.

Po ashtu, është miratuar nisma për lidhjen e marrëveshjes së grantit për zhvillimin e sektorit të energjisë, si dhe koncept-dokumenti për kontrollin e tregtisë me mallra strategjike.

Në fushën rajonale dhe ndërkombëtare, është miratuar edhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes me Shqipërinë për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

TË FUNDIT

TË FUNDIT