Një incident me përleshje fizike është regjistruar mbrëmjen e së premtes në Mitrovicë të Veriut, ku një person ka mbetur i lënduar pas një sulmi me grusht.
Ngjarja ka ndodhur më 3 prill 2026, rreth orës 23:00 në rrugën “Kolashinit”, afër lokalit “Tuneli i Parë”, ku sipas informacioneve, Burim Hasani ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari Dragan Petroviq.
Pas incidentit, viktima është paraqitur për trajtim në spitalin rajonal në Mitrovicë të Jugut, ku është konstatuar se ka pësuar lëndime në pjesën e fytyrës. Sipas raportit mjekësor, bëhet fjalë për lëndime të lehta trupore.
Njësitë policore kanë dalë në vendngjarje dhe më pas kanë intervistuar viktimën në stacion policor. Gjatë testimit, ai ka rezultuar të jetë nën ndikim të alkoolit me 0.78%.
Edhe i dyshuari është identifikuar dhe shoqëruar në polici, ku pas testimit ka rezultuar se ishte nën ndikim të alkoolit me 1.14%.
Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa procedurat janë duke vazhduar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/GazetaSinjali/



