Aleanca Kosovare e Bizneseve e ka konsideruar diskriminues dhe të padrejtë vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e pagës së 13-të vetëm për sektorin publik.
Sipas AKB-së, një vendim i tillë krijon ndarje në shoqëri, duke favorizuar një kategori në kurriz të tjetrës, ndonëse të gjithë qytetarët dhe bizneset kontribuojnë në buxhetin e shtetit.
AKB ka theksuar se sektori privat është bartësi kryesor i zhvillimit ekonomik, duke punësuar shumicën e qytetarëve dhe duke siguruar të hyrat kryesore për shtetin, ndërsa, sipas saj, po injorohet në mënyrë të pajustifikueshme.
Në reagim, AKB vlerëson se paga e 13-të për sektorin publik nuk përbën meritë, por një shpërblim selektiv dhe politik, që cenon parimet e barazisë dhe konkurrencës së ndershme.
Aleanca kërkon nga qeveria të ndalë këtë qasje ndaj sektorit privat, të subvencionojë edhe punëtorët e këtij sektori dhe kategoritë sociale, si dhe të garantojë barazi për të gjithë kontribuuesit.
Në të kundërtën, sipas AKB-së, vendime të tilla do të dëmtojnë klimën e biznesit dhe besimin në institucionet shtetërore, deklaroi kryetari i AKB-së, Agim Shahini.



