Gazeta e njohur amerikane “The New York Times” ka shkruar për ëndrrën e shuar të Kosovës drejt Botërorit, pas fitores së mbrëmshme të Turqisë në “Fadil Vokrri”.
Në artikull përmendet shansa e Kosovës për të shënuar përmes Fisnik Asllanit, por që nuk u finalizua në gol.
Nata e mbrëmshme përshkruhet si natë tensioni dhe drame, përcjell Reporteri.net.
“Pavarësisht mbështetjes së zjarrtë të tifozëve vendas, Turqia e nisi ndeshjen më mirë, por ishte Kosova ajo që iu afrua më shumë golit të parë kur një goditje e fuqishme nga Fisnik Asllani u devijua në traversë nga portieri Ugurcan Cakir. Vedat Muriqi nuk arriti të godiste pastër topin në rikthim”, thuhet në artikullin e “The Athletic”.
Vëmendje u është dhënë 20 minutave të fundit të lojës, ku Kosova pati edhe raste tjera për të shënuar.
“Turqia shpërdoroi disa raste teksa kërkonte golin e dytë, duke bërë që 20 minutat e fundit të ishin shumë të tensionuara. Florent Muslija i Kosovës ishte pranë golit kur tentoi me një goditje nga jashtë zonës drejt këndit të poshtëm, ndërsa Asllani detyroi edhe një pritje tjetër të mirë nga Çakir katër minuta para fundit. Megjithatë, Turqia qëndroi e fortë dhe këtë verë do të udhëtojë drejt Amerikës së Veriut”.
Të dy kombëtaret thuhet se përdornin strategji të ngjashme në lojë, ashtu që ushtronin presion me dy lojtarë në sulm dhe dy linja nga katër lojtarë pas tyre, duke synuar të bllokonin pasimet e lehta drejt mesfushës në fazën e ndërtimit të lojës.
“Sapo topi shkonte në krahë, kjo aktivizonte presionin nga mbrojtësit e krahut dhe mesfushorët anësorë, duke kufizuar hapësirat për lojë”.
Vëmendje u është dhënë edhe lojës së dy yjeve turk, Kenan Yildiz dhe Arda Guler, të cilët luajnë për Juventusin dhe Real Madridin.
“Lojtari i Real Madridit, Guler, dhe sulmuesi i Juventusit, Yildiz, e rrisin cilësinë krijuese të ekipit. Guler, 21 vjeç, dhe Yildiz, 20 vjeç, janë tashmë dy nga lojtarët e rinj më intriguese të Kupës së Botës”, thuhet në artikull.
Pjesa e fundit e artikullit i është kushtuar atmosferës në Prishtinë, ku janë përmendur edhe fishekzjarret që u hodhën në afërsi të hotelit ku ishte vendosur Kombëtarja e Turqisë.
“Prishtina u dha një pritje të ngrohtë tifozëve turq, por kjo mikpritje nuk i siguronte skuadrës së tyre një gjumë të qetë gjatë natës”.
Atmosfera thuhet se nisi të ndërtohej herët për atë që ndoshta ishte ngjarja sportive më e rëndësishme në historinë e Kosovës.
“Që në orën 8 të mëngjesit, punëtorët po përgatisnin sheshin qendror “Zahir Pajaziti”, i emëruar sipas një komandanti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një ekran i madh u vendos për mijëra tifozë që nuk do të mund të siguronin një vend në stadiumin “Fadil Vokrri”, me kapacitet prej 13,000 vendesh”.
Të tjerë raportohet se u ngjitën në ballkonet e banesave përballë sheshit për të pasur një pamje më të mirë të ekranit të madh.
“Të gjithë ishin të etur që skuadra e tyre të arrinte turneun në SHBA, pjesërisht sepse shumë njerëz në vend ende kanë një afeksion të thellë për rolin e saj në historinë e Kosovës”.
Paraqitja e guximshme në pjesën e parë rriti edhe më shumë shpresat. Kur goditja e Asllanit u devijua në traversë nga Çakir, niveli i zhurmës ishte po aq i lartë sa fishekzjarrët e hershëm.
“Megjithatë, sa më shumë që kalonte loja, aq më shumë Turqia filloi të dominonte. Pati një reagim të vonshëm që për pak rriti shpresat e vendasve, por nuk ishte e shkruar të ndodhte. Kosova do të rikthehet, por kjo ishte një natë zhgënjimi në Prishtinë”, përfundon artikulli.
Turqia fitoi me 1:0 dhe u kualifikua në Botëror pas 24 vjetësh./Reporteri.net



