Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë kërkesën e Kryeparlamentares Albulena Haxhiu dhe deputetëve të tjerë, lidhur me procedurën për zgjedhjen e Presidentit.
“Në dritën e kësaj, Gjykata konsideron se nuk ka çështje për shqyrtim, ngase kjo tashmë është sqaruar qartë edhe përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës përmes rasteve KO29/11 dhe KO47/16, cituar më lart (shih, në mënyrë të ngjashme rastet e Gjykatës: KO98/20, parashtrues Hajrulla Çeko dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit nr.52/2020, të Presidentit të Republikës së Kosovës i datës 14 mars 2020, Vendim për heqje të kërkesës nga lista i 18 nëntorit 2020, paragrafi 83; dhe KO63/12, me parashtrues Alma Lama dhe 10 deputetëve të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vlerësimi i kushtetutshmërisë së neneve 37, 38 dhe 39 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Nr. 04/L-82, Vendim për heqje të kërkesës nga lista i 10 dhjetorit 2012, paragrafi 19)”, thuhet në Aktvendimin e Kushtetueses.
“Pra, si parim i përgjithshëm procedural, Gjykata nuk nxjerrë vendime për raste ku çështja më nuk përfaqëson kontest, apo pretendimi nuk është më në mënyrë aktive i diskutueshëm. (shih, rastet e Gjykatës, KO98/20, cituar më lart, paragrafi 84; dhe KO63/12, cituar më lart, paragrafi 23). Prandaj, duke i konsideruar vlerësimet e lartcekura, Gjykata tashmë konstatoi se 2 (dy) kushtet e aplikimit nënparagrafit (a) të paragrafit 1 të rregullit 54 të Rregullores së punës janë përmbushur. Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se pretendimi i parashtruesve të kërkesës për vlerësimin e kthimit të afateve “për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, përkatësisht nga dita e fillimit të procedurës për zgjedhjen e Presidentit”, nuk është më në mënyrë aktive i diskutueshëm”.



