8.1 C
Mitrovice
E hënë, 30 Mars, 2026

Armë, uniforma ushtarake dhe municion në një shtëpi të braktisur në Zubin Potok – nisin hetimet

Një arsenal i dyshimtë është zbuluar në një shtëpi të pabanuar në fshatin Prelez të Zubin Potokut, ku policia ka gjetur armë, uniforma ushtarake dhe municion.

Sipas burimeve, ngjarja është konstatuar pasditen e 29 marsit 2026, rreth orës 15:50, gjatë një patrullimi të njësive të reagimit të shpejtë.

Gjatë kontrollit në objektin e braktisur, policët kanë gjetur një armë të shkurtër të tipit “CZ-7.65”, prodhim çek. Po ashtu, janë sekuestruar dy uniforma të ushtrisë serbe, një karikator i zbrazët i armës automatike AK-47, si dhe tri gëzhoja të kalibrit 7.62 mm.

Në vendngjarje janë gjetur edhe dokumente identifikimi që, sipas informacioneve paraprake, i përkasin pronarit të banesës, i cili dyshohet se ka ndërruar jetë.

Menjëherë pas zbulimit, në vend kanë mbërritur forcat e policisë, hetuesit dhe ekspertët e kriminalistikës, të cilët kanë kryer këqyrjen dhe kanë sekuestruar provat materiale.

Në konsultim me prokurorin e çështjes, rasti është regjistruar për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat dhe për të identifikuar personat përgjegjës.

TË FUNDIT

TË FUNDIT