Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami dhe Sala Jashari, kanë paralajmëruar se të hënën do të dorëzojnë kërkesë për thirrjen e një takimi urgjent me Ministrin për Çështje të Personave të Zhdukur, Andin Hoti.
Përmes një reagimi publik, Behrami, në cilësinë e zëvendëskryetarit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione, bëri të ditur se iniciativa po ndërmerret bashkë me deputeten Sala Jashari.
Sipas tyre, arsyeja e kësaj kërkese lidhet me zhvillimet e fundit, për të cilat ata vlerësojnë se Kosova “po përballet me një front të trefishtë për ndryshim të historisë”.
Deputetët nuk kanë dhënë detaje shtesë mbi përbërjen e këtij “fronti”, por kanë theksuar nevojën për reagim institucional dhe trajtim urgjent të çështjes në nivel ministror.



