Nait Hasani, ka reaguar ndaj ekspozitës së hapur në sheshin e Prishtinës për krimet e luftës.
Ai tha se ekspozita është e mbushur me mashtrime lidhur me Masakrën në Burgun e Dubravës.
Hasani kujtoi se sot bëhen 24 vite nga dalja e tij nga burgjet serbe, përfshirë edhe Burgun e Dubravës.
“24 vite kujtese e dhembje nga ai krim që u bë mbi të burgosurit shqiptarë në këtë burg nga gardianët, nga serbët e burgosur, nga policët serbë, nga ushtarët serbë, pra nga institucionet e shtetit të Serbisë. Dhe po sot në sheshin e Prishtinës ekspozita për krimet e luftës dhe fotoja Masakra në Burgun e Dubravës më tmerron me këto mashtrime, gënjeshtra dhe të pavërteta për këtë krim e gjenocid të shtetit të Serbisë kundër të burgosurve shqiptarë”.
Sipas tij, ekspozita e vendosur në kryeqytet nuk pasqyron realitetin e asaj që ndodhi në Dubravë gjatë luftës.
Ai shtoi se në atë burg nuk kishte të burgosur të armatosur apo civilë, por vetëm shqiptarë të burgosur, prej të cilëve 118 u vranë dhe mbi 400 të tjerë u plagosën.
“Aty nuk tregohet e vërteta, aty tregohen rrenat e mashtrimet serbe dhe të agjentëve të Serbisë. Aty nuk ka pasur të burgosur të armatosur, aty nuk ka pasur civilë shqiptarë, aty ka pasur të burgosur shqiptarë dhe si shqiptarë janë vrarë 118 të burgosur dhe janë plagosur mbi 400 të tjerë. Aty janë vrarë pleq mbi 60 vjeç dhe fëmijë nën 18 vjeç nga shteti serb”.
Hasani kritikoi gjithashtu faktin që ekspozita është financuar nga Kuvendi i Kosovës.
“Dhe kjo ekspozitë e financuar nga Kuvendi i Kosovës me këso të pavërteta e mashtrime, ku në këtë Kuvend të Kosovës kemi mbajtur fjalime e nxjerrë rezolutë për Masakrën në Burgun e Dubravës, e të lejohet e financohet në emër të Kuvendit kjo ekspozitë, është krim duke vrarë bashkë me autorin edhe njëherë të burgosurit e burgut të Dubravës dhe duke shkelur gjakun e të vrarëve në këtë burg nga institucionet e shtetit të Serbisë. Për këtë krim të qëllimshëm nga autori i këtij shkrimi e ekspozite, kërkoj nga institucionet e drejtësisë gjykim e dënim për këtë krim monstruoz”, ka shkruar Hasani në një postim në “Facebook”.



