Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ka folur për stërvitjet e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën, duke i cilësuar ato si provokim dhe përpjekje për të cenuar integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit.
Kurti tha se Serbia po “sillet e pështillet” rrotull kufirit me Kosovën, nga dëshpërimi se nuk kanë më struktura paralele për ta destabilizuar së brendshmi vendin tonë.
Ai shtoi bëhet fjalë për të njëjtën njësi të cilat e kanë trajnuar kryekriminelin dhe kryeterroristin Milan Radoiçiq, në bazat e stërvitjes për vrasjen e policit të Kosovës, heroit Afrim Bunjaku.
“Jemi thellësisht të shqetësuar me demonstrimin e pajustifikueshëm ushtarak të Serbisë me helikopterë e parashutistë në zonën e banuar me shqiptarë në Bujanoc, fare pranë kufirit me Kosovën. Një shfaqjee e tillë e fuqisë ushtarake, mbi shtëpi, shkolla, qendra të mjekësisë përbën jo vetëm trysni, nxitje tensioni dhe përpjekje për të frikësuar banorët atje, por tregon edhe një provokim të hapur ndaj shtetit tonë të Kosovës.
Këto stërvitje dhe kërcënimet me parashutë pak metra larg kufirit përbëjnë një shfaqe të rrezikshme të agresionit. Kjo shfaqje bëhet edhe më alarmuese kur kujtojmë se kjo njësi ka trajnuar dhe mbështetur grupin e kriminelit, Radoiçiq të cilët kryen sulmin terrorist në Banjskë.
Këto lëvizje ushtarake të kombinuara me retorikën nxitëse të Vuçiq se kinse Serbia po përgatitet për një sulm të mundshëm nga aleanca Kroaci-Kosovë-Shqipëri, si dhe blerja e armatimit kinez dhe rus, konfirmojnë se Serbia po përdor ushtrinë si shantazh për të mbajtur nën shantazh rajoni e Ballkanit në tension të vazhdueshëm.
Duhet të vërejmë se këtë Serbia po e bën nga dëshpërimi i saj. Së pari nuk kanë më struktura paralele që të na destabilizojnë për së brendshmi andaj sillen e pështillen rrotull kufirit dhe së dyti Serbia nuk mund ta mbajë më rajonin tonë të Evropës Juglindore peng. Të gjithë ne të tjerët e duam BE-në, kurse ajo është përcaktuar për Federatën ruse”. tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë. /Reporteri.net/



