Klinika e Pediatrisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës njoftoi për një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani që po trajtohet në Emergjencë dhe është në gjendje të rëndë.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës tha në një postim në Facebook se fëmija ka “plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve, me ndryshime gangrenoze”. U tha se u pranua “në gjendje të rënduar, me dyshime për kequshqyerje dhe vështirësi në komunikim”.
ShSKUK tha se “për shkak të dyshimeve për keqtrajtim të mundshëm, janë njoftuar Policia dhe punëtorët socialë, në përputhje me procedurat ligjore”.
“Fëmija aktualisht ndodhet pa përcjellje nga prindërit apo kujdestari ligjor dhe është nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të stafit mjekësor dhe të punëtorëve socialë, në përputhje me procedurat për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve në situata të tilla”, thuhet në postimin e ShSKUK-së.
Fëmijën sot e ka vizituar edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia
ShSKUK thotë se “në koordinim me ministrin e Ministrisë së Punës, Familjes dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare Andin Hoti dhe me Qendrën për Punë Sociale në Komunën e Lipjanit pritet që të merren të gjitha hapat e nevojshëm për mbrojtje ligjore dhe sociale”.



