Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka thënë përmes një deklarate publike se mbështet sulmet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, regjimin e të cilit e ka përshkruar të atillë që për dekada e ka shtypur popullin e vet, e ka destabilizuar rajonin dhe ka kërcënuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
“Ne qëndrojmë krah presidentit [amerikan] Donald Trump në përpjekjen për të frenuar regjimet që kërcënojnë popujt e lirë, për të mbrojtur stabilitetin global dhe për të mbështetur aspiratat legjitime të popullit iranian për liri, dinjitet dhe demokraci. Regjimet që shtypin qytetarët e tyre, që mbështesin dhunën ndaj vendeve demokratike dhe që kërcënojnë popuj të tjerë, nuk mund të jenë faktor paqeje”, është thënë në deklaratë.
Mes tjerash është përmendur se Kosova solidarizohet me popullin iranian për një të ardhme të lirë dhe demokratike.
Kosova nuk ka marrëdhënie diplomatike me Iranin, pasi ky i fundit nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.



