Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dorëzuar Shqipërisë një sasi të konsiderueshme raketash antitank, Javelin, një prej sistemeve më të avancuar në botë.
E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy VanHorn, tha se ky është një hap i rëndësishëm në partneritetin mes SHBA dhe Shqipërisë, për sigurinë.
“Ky është një demonstrim për përkushtimin tonë për sigurinë rajonale. Sistemi Javelin është shumë i avancuar dhe përmbush objektivin e Shqipërisë për mbrojtjen kolektive”, tha VanHorn.
“Mjedisi i sigurisë me të cilin përballemi të gjithë kërkon që të gjithë aleatët të bëjnë pjesën e tyre. Jemi krenar që jemi partner në këto përpjekje”.
VanHorn vlerësoi edhe punën e ministrit të Mbrojtjes në ikje, Pirro Vengu.
Çfarë janë sistemet Javelin?
Sistemet Javelin janë sisteme të avancuara raketore kundërtanke, të përdorura nga këmbësoria për të shkatërruar mjete të blinduara, bunkerë dhe objektiva të tjera.
Ato janë të njohura për drejtimin me rreze infra të kuqe, aftësinë e sulmit nga lart (duke goditur pjesën më të dobët të blindimit të tankeve) dhe për mundësinë e përdorimit ditë e natë, duke i ofruar operatorit nivel të lartë mbijetese.
Sistemi është zhvilluar nga Raytheon dhe Lockheed Martin dhe përbëhet nga Njësia e Komandimit dhe Lëshimit (CLU) për identifikimin dhe shënjestrimin e objektivit, si dhe nga raketa vetë. Kjo u lejon ushtarëve të qëllojnë dhe të marrin menjëherë mbulim, pa pasur nevojë të qëndrojnë të ekspozuar pas lëshimit.



