Presidentja Vjosa Osmani ka pritur të hënën në takim lamtumirës komandantin në largim të Komandës Rajonale Lindje të KFOR, kolonelin Jonathan Lloyd nga Garda Kombëtare e Louisianës, si dhe pasuesin e tij, kolonelin Sam Sargeant.
Gjatë takimit, siç bëhet e ditur në një njoftim, Osmani e falënderoi kolonelin Lloyd për shërbimin dhe përkushtimin e tij gjatë mandatit në Kosovë, duke vlerësuar lart kontributin në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe rajon. Në shenjë mirënjohjeje, ajo i ndau atij një mirënjohje për angazhimin e çmuar.
Më tej, e para e shtetit i uroi mirëseardhje kolonelit Sargeant, duke e siguruar për mbështetjen e plotë të institucioneve të Kosovës në përmbushjen e mandatit të tij dhe të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO.
Osmani shprehu mirënjohjen e thellë, në emër të popullit të Kosovës, për vazhdimin e pranisë së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në vend si pjesë e misionit të KFOR-it, e cila është jetike për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.
Në këtë kontekst, ajo theksoi se Kosova do të mbetet gjithmonë mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e palëkundur në të gjitha etapat.



