Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, teksa ka renditur vërejtjet e FMN-së nga misioni dyjavor mbikëqyrës në Kosovë, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, që nuk po fokusohet në këto çështje, por po merret me ligjin për çmimet tavan.
Sipas tij, kjo nuk është zgjidhje për problemin e inflacionit dhe se rritja e çmimeve nuk mund të kufizohet me ligje.
“Në vend që qeveria e re të fokusohet në këto çështje që i ka ngritur FMN-ja, puna e parë që po bëjnë është përgatitja e ligjit për vendosjen e çmimeve tavan në produkte të caktuara.
Kjo nuk është zgjidhja për problemin e inflacionit dhe rënien e fuqisë blerëse të të ardhurave të familjeve. Historia ka treguar shumë qartë se, përveç për produktet dhe shërbimet që ofrohen në tregje të monopolizuara, siç është energjia, uji, transporti hekurudhor e të ngjashme, rritja e çmimeve të mallrave të tjera nuk mund të kufizohet me ligje.” – ka shkruar Hoti.
Sipas tij, ekzekutivi nuk ka marrë asnjë masë të duhur në pesë vitet e qeverisjes, prandaj thotë që importi dhe inflacioni janë rritur sistematikisht.
“Çmimet mund të mbahen të moderuara duke ulur kostot e prodhimit, kostot e transportit dhe tatimet mbi ato produkte.
Mbi të gjitha, çmimet mund të mbahen të moderuara duke zbatuar politika industriale që mbështesin prodhuesit vendorë në prodhimin e atyre produkteve. Asnjëra nga këto masa nuk është ndërmarrë në pesë vitet e fundit; si rezultat, importi dhe inflacioni janë rritur në vazhdimësi.”
Hoti po ashtu tha se nuk pret reflektim nga Qeveria Kurti.
Kujtojmë se kabineti i kryeministrit Kurti, e ka miratuar një program legjislativ dyvjeçar, i cili përfshin dy ligje të rëndësishme, si ai për byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe ligjin për çmimet tavan.
Ndërsa më vonë, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, njoftoi se e ka nënshkruar nisjen e procedurës për projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në rast të krizave ekonomike (Ligji për çmimet tavan).




