3.6 C
Mitrovice
E shtunë, 21 Shkurt, 2026

Hoti kritikon shtimin e ministrive: Është abuzim me buxhetin, numri i të punësuarve do të shkojë në qindra

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për rritjen e numrit të ministrive në këtë mandat.

Ai ka bërë me dije se kjo është një veprim i paarsyeshëm.

Në një prononcim për Ekonomia Online, Hoti ka thënë se numri i ministri është abuzim me buxhetin e shtetit.

“Unë po ju jap një informatë: krahasuar me vitin 2021, kur këta e kanë marrë mandatin, në buxhetin e vitit 2026 shifrat janë që ka mbi 5,000 të punësuar më shumë në sektorin publik, në shtet, në institucionet shtetërore. Dhe këta janë kryesisht në nivelin qendror, jo në komuna. Komunat kanë pasur një rritje të vogël të punësimit. Dhe tjetra, nëse sheh se ku janë punësuar këta njerëz, sheh që nuk janë të punësuar shtesë në arsim e shëndetësi. Sepse në arsim e shëndetësi ka një logjikë, janë disa formula për punësimin e mësimdhënësve, stafit mbështetës e të tjerë, ose në shëndetësi. Por nuk janë ato. Janë nëpër institucione të tjera që janë kryesisht administrative”, është shprehur ai.

Sipas tij, me rritjen e ministrive numri i të punësuarve do të shkojë në qindra.

“Edhe rritja e numrit të ministrive tash nuk ka asnjë lloj arsyeshmërie. Numri i të punësuarve do të rritet për disa qindra tash me kabinetet e tyre, me departamentet e tyre që duhet të formohen. Pra, është edhe një shenjë shtesë e, po e quaj kështu, abuzimit me buxhetin e shtetit nga njerëz që kanë qenë ekstremisht të zhurmshëm në të kaluarën për madhësinë e qeverisë. Kanë qenë ata që kanë promovuar një qeveri të vogël, relativisht, për të ofruar shërbime për qytetarët, ndërkohë që tash kthehen komplet, bëjnë të kundërtën dhe nuk ofrojnë asnjë arsyeshmëri, as para publikut nuk ofrojnë“, ka thënë Hoti.

TË FUNDIT

TË FUNDIT