Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar marrëveshjen me Bashkimin Evropian mbi Aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, për të përfituar milionat që ofrohen nga ky instrument.
Kjo marrëveshje ndërkombëtare kaloi me votat e 104 deputetëve teksa abstenime ishin katër.
Në sallë ishin 108 deputetë.
Qëllimi i kësaj marrëveshje është krijimi i bazës së nevojshme ligjore, që Kosova të përfitojë nga fondet e Bashkimit Evropian, në vlerë prej 882.6 milionë euro, që ofrohen brenda këtij instrumenti për reforma dhe rritje.
Ministri i Financave, Hekuran Murati sqaroi se Plani i Rritjes parasheh 882 milionë euro për Kosovën, teksa shtoi se kjo mbështeteje është e zbërthyer me zhbllokime bazuar në dinamikën e reformave që zbatohen në administratë publike, gjyqësor apo edhe në masa të efiçiencës.
Ai tha se 7% është paradhënia apo pagesa që parashihet qysh në start t’i alokohet Kosovës./Reporteri.net




