8.3 C
Mitrovice
E enjte, 12 Shkurt, 2026

Lista Serbe miraton deklaratën për integrimin e shëndetësisë dhe arsimit në institucionet e Kosovës

Subjekti më i madh politik i serbëve të Kosovës, Lista Serbe, ka miratuar një deklaratë për integrimin e sektorëve të shëndetësisë dhe arsimit në institucionet e Kosovës.

Takimi, i cilësuar si urgjent, u mbajt sot në orën 12:00 në Amfiteatrin e Fakultetit Teknik, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe përfaqësuesve të institucioneve të shëndetësisë dhe arsimit që financohen nga buxheti i Serbisë dhe funksionojnë sipas plan-programeve të Beogradit, të cilat institucionet e Kosovës i konsiderojnë si sisteme paralele.

Sipas deklarimeve, inkuadrimi fillestar i këtyre dy sektorëve nën administrimin e institucioneve të Kosovës shihet si një hap që i paraprin themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Në marrëveshjet e mëhershme ndërmjet palëve është paraparë që këto struktura fillimisht të integrohen në sistemin e Kosovës, për t’u transferuar më pas nën kompetencat e Asociacionit, pas themelimit të tij.

Në këtë kontekst, edhe themelimi i Bordit të përbashkët ndërmjet Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut, i cili hap rrugë përcaktimit të vijave administrative ndërmjet dy komunave, është parë si sinjal i lëvizjeve drejt krijimit të Asociacionit.

Ndërkohë, objekti i Fakultetit Teknik, ku u mbajt takimi, është subjekt i një kërkese nga Ndërmarrja “Trepça”, e cila ka kërkuar që të paguhet qiraja ose objekti të lirohet brenda një muaji, me arsyetimin se prona i përket kësaj ndërmarrjeje.

TË FUNDIT

TË FUNDIT