10.1 C
Mitrovice
E diel, 8 Shkurt, 2026

Policia serbe i gjeti fotografi të UÇK-së, mërgimtari keqtrajtohet në kufi

Një mërgimtar nga Kosova që jeton në Gjermani, Rilind Krasniqi, ka denoncuar publikisht keqtrajtim dhe bastisje nga policia serbe gjatë kalimit transit nëpër territorin e Serbisë, duke deklaruar se është ndaluar dhe kontrolluar për më shumë se një orë, pas gjetjes së fotografive me figura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në telefonin e tij.

Sipas rrëfimit të tij për Zeri.info, Krasniqi ishte duke udhëtuar nga Kosova drejt Gjermanisë për shkak të një urgjence personale dhe për herë të parë kishte vendosur të kalonte transit nëpër Serbi. Por, sapo hyri në pikën kufitare serbe, ai thotë se e kuptoi se vendimi për të kaluar nëpër këtë shtet kishte qenë një gabim i madh.

Rilindi i ka treguar “Zërit” se menjëherë pas ndalimit kanë nisur bastisjet e detajuara, ku autoritetet serbe i kanë kontrolluar pajisjet personale dhe përmbajtjen e telefonit. Gjatë kontrollit, sipas tij, janë gjetur fotografi të babait të tij – ish-pjesëtar i UÇK-së – si dhe fotografi të komandantit Adem Jashari, Mujë Krasniqit, Vesel Arucit dhe figurave të tjera të luftës.

Sipas Krasniqit, pikërisht këto fotografi janë bërë shkak i ndalimit dhe bastisjes, ndërsa policia kufitare serbe i ka konfiskuar edhe sende personale, përfshirë një shumë parash në vlerë prej 2,500 euro.

“Ata ishin gati të më dërgonin në burg, vetëm për fotografitë”, ka deklaruar Rilindi për “Zërin”.

“Sot kalova nëpër Serbi, kisha një kohë që s’kam kaluar në këtë tokë dhe sot jam bastisur nga disa çetnikë serbë. Ata më gjetën foto në telefon edhe në Facebook të babës tim që ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare, foto të Adem Jasharit, foto të Vesel Arucit, foto të Mujë Krasniqit.”

“Ata më bastisën rreth një orë, më kontrolluan shumë dhe më morën gjëra personale, si dhe para në vlerë 2,500 euro,” ka treguar ai.

Në fund, Krasniqi u bën thirrje bashkatdhetarëve që të shmangin kalimin transit nëpër Serbi.

Ky nuk është rast i izoluar. Qytetarë të Kosovës janë përballur edhe më herët me situata të ngjashme nga autoritetet kufitare serbe. Së fundmi, qytetari Mitehat Llozhani është arrestuar nga autoritetet serbe në pikën kufitare Batrovci, në kufi me Kroacinë. /Zëri

TË FUNDIT

TË FUNDIT