2 C
Mitrovice
E hënë, 2 Shkurt, 2026
spot_img

Për herë të parë në Kosovë, realizohet me sukses ndërhyrja për Sindromën Eagle

Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është kryer për herë të parë me sukses një ndërhyrje kirurgjikale për Sindromën Eagle, një patologji e rrallë dhe komplekse.

Pacienti, M.D., rreth 65-vjeçar, kishte paraqitur simptoma klinike të vazhdueshme, të cilat kërkonin trajtim të specializuar.

“Pas ekzaminimeve të nevojshme biokimike, radiologjike dhe të tjera, u konstatua një zgjatje e procesit stiloid me gjatësi rreth 5.5 cm, gjë që e bënte të domosdoshëm trajtimin kirurgjikal”, thuhet në njoftim.

Duke marrë parasysh përfshirjen e strukturave vaskulare të qafës, ShSKUK theksoi se u vendos që ndërhyrja të realizohej në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, përmes qasjes ekstraorale, e cila mundëson ekspozim optimal anatomik dhe kontroll të plotë të strukturave vitale vaskulare dhe nervore.

Ndërhyrja kirurgjikale ka shkuar me sukses, pacienti ka shfaqur përmirësim të menjëhershëm dhe aktualisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, duke u përgatitur për lirimin për trajtim shtëpiak.

Sindroma Eagle shkaktohet nga zgjatja jonormale e procesit stiloid në bazën e kafkës, duke u shfaqur me dhimbje të forta në qafë dhe fyt, vështirësi në gëlltitje dhe, në raste të rralla, çrregullime të qarkullimit të gjakut për shkak të afërsisë me arteriet karotide./gazetametro.net

TË FUNDIT

TË FUNDIT