5.5 C
Mitrovice
E shtunë, 31 Janar, 2026
spot_img

29 vjet nga rënia heroike – liderët shtetërorë nderojnë Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahun e Edmond Hoxhën

Krerë shtetërorë dhe liderë të partive politike kanë bërë homazhe sot në 29-vjetorin e rënies heroike të Hakif Zejnullahut, Zahir Pajazitit dhe Edmond Hoxhës, tre dëshmorëve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se sakrifica e tyre ka ndërtuar themelet e shtetit të Kosovës, duke e cilësuar 31 janarin si një datë me peshë të veçantë historike.

“31 janari është një prej ditëve më me peshë në historinë e Republikës së Kosovës, është një prej ditëve më frymëzuese për rritjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe është po ashtu një prej ditëve më frymëzuese për gjithë popullin e Kosovës që luftoi për liri”, ka thënë Osmani.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se rënia e tyre i dha hov të jashtëzakonshëm vetëbesimit të popullit dhe rritjes së radhëve të UÇK-së.

“Zahir Pajaziti kishte veprimtari të dendur si pak kush tjetër. Ai ishte një luftëtar i paepur tërë jetën dhe njëkohësisht një guerilas me aksione fort të suksesshme. Bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, në janarin e vitit 1997, u vranë nga pusia e forcave serbe për shkak se nuk ishte edhe e mundshme ndryshe. Aq shumë ishin tmerruar forcat armike të Serbisë nga Zahir Pajaziti, sa që vetëm kurthi, pusia, prita, mund t’i jepte shans forcave okupatore që ta eliminonin Zahir Pajazitin”, ka deklaruar Kurti.

Ndërkaq, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se sakrifica e tyre solli lirinë e Kosovës, duke vlerësuar rolin historik të Zahirit Pajazitit në organizimin e UÇK-së.

Pas homazheve, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se të tre janë heronj të Kosovës, duke rikujtuar edhe rrethanat e rënies së tyre.

“Më 31 janar të vitit 1997, kanë rënë në një pritë të Policisë serbe dëshmorët e parë të UÇK-së, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullau. Zahir Pajaziti u lind më 1 nëntor të vitit 1962 në fshatin Turuqicë të Podujevës, ndërsa ra dëshmor më 31 janar të vitit 1997 në Pestovë të Vushtrrisë. Ishte një ndër themeluesit e UÇK-së dhe Hero – dëshmor i luftës së Kosovës”.

TË FUNDIT

TË FUNDIT