5.8 C
Mitrovice
E premte, 30 Janar, 2026
spot_img

Historia e Martirit Gazmend (Agim) Brahimi

Gazmend (Agim) Brahimi lindi më 28 korrik 1985, në veriun e Mitrovicës, një hapësirë që historia do ta shndërronte herët në provë të karakterit, sakrificës dhe qëndresës. Shkollën fillore e kreu në veriun e qytetit, ndërsa më pas vazhdoi Shkollën e Mesme Teknike “Arkitekt Sinani”, të cilën nuk arriti ta përfundojë, sepse jeta e tij u ndërpre dhunshëm, para se ëndrrat të merrnin formë.

Familja Brahimi e ka prejardhjen nga fshati Vinarcë, në komunën e Mitrovicës. Qysh në vitet e hershme, ata u vendosën në Lagjen e Boshnjakëve, ku ndërtuan jetën dhe rrënjët e tyre. Por viti 1998, si për mbarë popullin shqiptar të Kosovës, solli dhunë, përndjekje dhe shpërngulje. Nga agresioni dhe krimet sistematike serbe, familja e Gazmendit u detyrua të braktiste shtëpinë dhe të strehohej si refugjate lufte në Shqipëri, për disa muaj të rëndë, por të mbushur me shpresë për kthim.

Kthimi, megjithatë, nuk ishte i gëzueshëm. Në veriun e Mitrovicës, familja Brahimi e gjeti shtëpinë e djegur dhe të rrënuar. Rreziku për jetë ishte i përhershëm, sepse ndryshe nga pjesët tjera të Kosovës që kishin rifituar lirinë, veriu mbeti arenë e përleshjeve dhe konfliktit shqiptaro-serb. Banorët e kësaj ane e paguan lirinë me një çmim tejet të shtrenjtë.

Pas kthimit nga Shqipëria, familja u vendos përkohësisht te dajët, në Lagjen Ilirida. Por Gazmendi, çdo ditë, pa u lodhur, vizitonte shtëpinë e tij të shkatërruar dhe Lagjen e Boshnjakëve. Ai nuk ndahej dot nga vendi i fëmijërisë, nga fqinjët, nga rrënjët e tij. Aty e kishte zemrën.

I frymëzuar thellë nga lufta çlirimtare e UÇK-së dhe figura epike e Adem Jasharit, Gazmendi, ndonëse ende i mitur, kishte një ideal të kristalizuar: liri të plotë edhe për veriun e Kosovës. Ashtu siç e kishte emrin, ai ishte gazmor, i dashur, harmonik në shpirt. Shoqëria e çmonte për virtytet e tij njerëzore, ndërsa familja Brahimi e kishte gëzimin e parë. E donte artin, muzikën, jetën. Këndonte me pasion këngët e grupit “Marigona”, duke sjellë buzëqeshje edhe në kohë të rënda.

Pasi u rregullua një dhomë e vogël, ai këmbënguli që familja të kthehej përfundimisht në lagjen e tyre. Dëshira e tij ishte e qartë: të mbronte pronat shqiptare në veri. Me këtë vendim, familja u rikthye, ndërsa Gazmendi u përball çdo ditë me përleshje dhe tensione me serbët lokalë, të cilët e kishin frikë këtë të ri që nuk duronte padrejtësinë dhe dhunën ndaj shqiptarëve.

Ai u bë i njohur për qëndrimin e tij të vendosur kundër atyre që sulmonin shtëpitë shqiptare. Në ditën tragjike të trazirave, Gazmendi ishte nisur për në shkollë. Por sapo dëgjoi për përleshjet, u kthye në shtëpi, mori një shkop bejsbolli, e fshehu nën xhaketë dhe u drejtua drejt vendit ku po sulmohej popullata shqiptare, rreth 200 metra mbi shtëpinë e tij. Ai u rreshtua përkrah shqiptarëve të veriut, bashkë me vëllanë e tij, Armend Ibrahimi.

Në atë turmë që ulërinte për mbrojtjen e shtëpive dhe jetës, një turmë e përzier ku kishte edhe fqinjë të komunitetit boshnjak, pala serbe, në mënyrë tinëzare dhe pa asnjë kod njerëzor, hodhi një granatë dore. Shpërthimi ra pikërisht aty ku qëndronin Gazmendi, vëllai i tij dhe qytetarë të tjerë të pambrojtur.

Më 29 janar 2001, Gazmend Ibrahimi, vetëm 15 vjeç, u vra nga shpërthimi i granatës. Vëllai i tij, Armendi, mbeti i plagosur rëndë, me 17 copëza granate që edhe sot i mban në trupin e tij si dëshmi të krimit dhe qëndresës.

Gazmendi nuk arriti t’i mbushte 16 vjeç. Shpirti i tij liridashës e thirri më herët se koha për t’u rreshtuar me të persekutuarit, me të drejtën, me atdheun. Sot, 25 vite pas rënies së tij, shumë shqiptarë u detyruan të largohen nga veriu, por familja Brahimi kurrë nuk e mendoi shpërnguljen. Ata qëndruan në tokën ku u derdh gjaku i njomë i djalit të tyre. Dhimbjen e madhe për Gazmendin e mposht vetëm krenaria për veprën e tij.

Gazmendi kujtohet si një djalë që sillte dritë në çdo takim. Profesorët, shokët e klasës, shokët e lagjes e kujtojnë si të mirë, të buzëqeshur, plot jetë. Vallëzonte sapo dëgjonte muzikë, buzëqeshte gjithmonë. Gjithçka në të tregonte se nuk ishte i lindur për një botë hipokrite. Zoti e mori pranë vetes si martir, si shehid.

Serbët vdesin në spitale e gjykata, duke vuajtur dënime. Djemtë dhe vajzat shqiptare bien në fushëbetejë. Vrasja barbare e Gazit nuk na mposhti. Sot, vëllai i tij Armendi po rrit tre “Gazmenda” të vegjël: Omerin, Noarin dhe Malikun. Dhe nesër, po t’i thërrasë atdheu, ata do t’i përgjigjen njësoj.

Ata do të jenë krenarë për axhën e tyre Gazin. Ne do ta kujtojmë përherë atë shpirt të bardhë, atë martir, atë të ri që duhej të kishte heronj filmash vizatimorë, por u bë vetë hero i sovranitetit të plotë në veriun e Mitrovicës.

Faleminderit, Gazi, për idealin e hekurt.
Të qoftë i lehtë dheu i Republikës së Kosovës.

Shkruan:
Prof. Ramadan Beshiri – Doni

TË FUNDIT

TË FUNDIT