Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, reagoi ashpër pas aktgjykimit të fundit të GjK-së, i cili shpalli antikushtetuese zgjedhjen e Nenad Rashiq si Nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, me propozim të Vetëvendosjes.
Në një intervistë për Gazetën Express, Hasani tha se ky vendim është “konstatim për shkelje brutale dhe pa pardon të dispozitave që mbrojnë barazinë e komuniteteve dhe përfaqësimin politik në Kushtetutën e Kosovës”. Sipas tij, Gjykata ia ka “rikujtuar partisë fituese se demokracia e shumicës nuk mund të jetë tirani ndaj askujt, në veçanti ndaj komuniteteve pakicë”.
Hasani theksoi se “Rashiq nuk e përfaqëson komunitetin serb; atë e përfaqësojnë ata që kanë më shumë ulëse në Kuvendin e Kosovës”. Ai shtoi se përfaqësimi politik i komuniteteve nuk mund të manipulohet nga shumica parlamentare.
Duke komentuar reagimin e kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, Hasani paralajmëroi se ai “paraqet shenjë se partia në pushtet do të vazhdojë me praktikën e rrënimit të rendit kushtetues, shantazhit dhe kërcënimeve ndaj gjyqtarëve”.
Në fund, Hasani vlerësoi se “kjo logjikë e pushtetit vetëm sa përshpejton implementimin e autonomisë serbe në Kosovë” dhe se do të sjellë “intervenim të faktorit ndërkombëtar, me oferta që prekin edhe themelet e pavarësisë së 17 shkurtit”, duke nënvizuar se “Shteti i Kosovës forcohet vetëm duke respektuar në përpikëri Kushtetutën e Kosovës, Planin e Ahtisarit dhe detyrimet për mbrojtjen e pakicave”.






