-0.8 C
Mitrovice
E enjte, 22 Janar, 2026
spot_img

Trepça “përmbysë” Yllin, kalon në gjysmëfinale

Trepça ka dëshmuar që edhe këtë edicion është prej skuadrave pretendente për trofe në basketbollin kosovar.

Trepça të mërkurën mbrëma e mposhti Golden Eagle Yllin në Suharekë për të bërë vend në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Ylli kishte fituar me tri pikë dallim në Mitrovicë, por Trepça shënoi fitore dukshëm më të thellë, 88:76, për të avancuar në gjysmëfinale.

Ndeshja ishte e fortë, por sidomos në pjesën e parë. Mitrovicasit u shkëputën në çerekun e tretë dhe kontrolluan lojën në çerekun e katërt për të “përmbysur” rezultatin e ndeshjes së parë.

Çereku i parë përfundoi 21:19 për Trepçën. Dy pikë dallimi ishte edhe pas 20 minutave lojë. Çereku i dytë përfundoi 21:21.

Në të tretin loja e lojtarëve të Adis Beqiragiqit ishte dukshëm më e mirë dhe pas 30 minutave rezultati ishte 68:56 për mysafirët. Diferenca prej 12 pikëve ishte edhe në fund, 88:76.

Për të dy skuadrat kjo është vlerësuar njëra prej ndeshjeve më të rëndësishme të edicionit. Ylli të martën e prezantoi trajnerin spanjoll Paco Olmos, që debutoi me humbje. Ndërkohë Beqiragiq edhe një herë dëshmoi që është prej trajnerëve më të mirë që kanë punuar ndonjëherë në basketbollin kosovar. Vendosja taktike e teknikut boshnjak, ka bllokuar thuajse në tërësi sulmin e suharekasve në pjesën e dytë.

Akili Vining ishte më i miri te Trepça me 15 pikë, shtatë kërcime e gjashtë asistime. Kenneth Hasbrouck i kishte 17 pikë e pesë asistime. Lojë shumë të mirë kishte edhe Mustapha Amzil. Ai ishte më efikasi me 18 pikë, ndërsa i shtoi edhe dy kërcime.

Drilon Hajrizi i kishte 13 pikë, ndërsa Shawn Jones realizoi 11 pikë, pesë kërcime e tri asistime.

Brandon Huffman shkëlqeu tek Ylli me 20 pikë e 14 kërcime. Scott Bamforth i realizoi 26 pikë, ndërsa i kishte edhe tri kërcime. Por dështuan lojtarët e tjerë të Yllit. Antwan Scott e Trevon Allen i kishin vetëm nga gjashtë pikë. I zbehtë ishte edhe kontributi i vendorëve.
Trepça është kampione në fuqi dhe fituese në fuqi e Kupës së Kosovës./koha.net

TË FUNDIT

TË FUNDIT