-3 C
Mitrovice
E martë, 20 Janar, 2026
spot_img

Ja sa mund të dënohet Arianit Sllamniku nëse shpallet fajtor

Konspiracionisti Arianit Sllamniku rrezikon dënim me burgim dhe me gjobë pas akuzave për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe eksperimenteve të kundërligjshme mjekësore.

Sllamniku është arrestuar të martën nga Policia e Kosovës pas akuzave në rrjetet sociale se i njëjti kishte përdorur medikamente për kafshë ndaj fëmijëve të diagnostikuar me autizëm.

Sipas kryeprokurorit të Prokurorisë në Gjilan, Arben Kadriu, Sllamniku dyshohet për veprat penale “Ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 256 i KPRK-së dhe “Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave” nga neni 257 i KPRK-së.

Bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës një i akuzuar për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike mund të dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit nëse shpallet fajtor nga gjykata.

Paragrafi i dytë i këtij neni shprehimisht e parasheh se kur vepra penale nga paragrafi 1 rezulton me lëndim të rëndë trupor ose me dëmtim të rëndë të shëndetit të personit, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

Ndërkaq për veprën e dytë, ‘Eksperimentet e kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barërave’ Sllamniku mund të dënohet me burgim prej tre muaj deri në pesë vjet.

“Kushdo që pa autorizim ose në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm kryen eksperimente mjekësore, eksperimente të klonimit të njeriut apo eksperimente të ngjashme në njerëz, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në pesë (5) vjet”, thuhet në nenin 256 të Kodit Penal.

Sllamniku pretendonte se mund të shërojë autizmin duke larguar parazitët nga trupi i njeriut.

Lidhur me veprimtarinë e tij ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë.

Në reagimin e saj, Ministria ka shprehur shqetësim për këto raportime dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë shëndetësorë të licencuar.

MSH ka bërë të ditur se për këtë rast ka njoftuar institucionet kompetente dhe se është në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës për trajtimin e mëtejmë të çështjes, në përputhje me kompetencat ligjore.

“Shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim që e rrezikon atë do të trajtohet me seriozitet të lartë institucional”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

TË FUNDIT

TË FUNDIT