2.2 C
Mitrovice
E shtunë, 17 Janar, 2026
spot_img

Hoxha: Qeveria nuk bëri asnjë hap në frenimin e inflacionit

Korab Hoxha, ekspert i ekonomisë, duke u bazuar në hulumtimin e emisionit EURO n’T7, ka thënë se trendi i inflacionit apo i rritjes së çmimeve është përcjellë nga kompanitë vendore, siç kanë bërë edhe kompanitë e vendeve të tjera.

Kryesisht, sipas tij, ky trend është vërejtur më shumë gjatë viteve 2022–2023.

“Fatkeqësisht, as qeveria as ne si vend nuk kemi bërë asnjë hap në parandalimin ose frenimin e nivelit të inflacionit. Normalisht që rritja e pagës minimale ka pasur ndikim në uljen e nivelit të inflacionit, por kur jemi tek ndarja e subvencioneve për qytetarë, atëherë normalisht që kjo ka qenë shtytje për rritje të çmimeve dhe, kur qytetarët varen nga një pagesë e vetme dhe kjo realizohet edhe si subvencion, atëherë rritja e çmimeve është e pandalshme e bashkë me të edhe rritja e varfërisë.”

Tek rritja e çmimeve, sipas Hoxhës, ka ndikuar edhe mungesa e marrjes së masave qeveritare apo subvencionimit të prodhimit të brendshëm të produkteve esenciale, siç ndodh rëndom në gjithë botën.

“Subvencionimi i produkteve të mishit, bylmetit, frutave dhe perimeve, pastaj të grurit dhe miellit do të duhej të subvencionoheshin dhe të mos ishin barrë 100% e fermerëve. Për fat të keq, tek ne ka ndodhur krejt e kundërta dhe normalisht që kemi pasur rritje të vazhdueshme të çmimeve në produktet bazike për qytetarët, të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të shpenzimeve të të hyrave të tyre. E kundërta ka ndodhur në Evropë, ku jemi dëshmitarë dhe shohim se çmimet e produkteve bazike për jetesë janë më të lira sesa në Kosovë, jo se realisht janë më të lira, por se shteti ka subvencionuar prodhimin e tyre. Ata kanë taksa më të mëdha se ne, paga më të mëdha se tek ne, por shteti ka ndërhyrë me subvencione që produktet bazike të dalin më lirë. Tek ne kjo nuk ka ndodhur”, ka shtuar Hoxha.

TË FUNDIT

TË FUNDIT