0.6 C
Mitrovice
E shtunë, 10 Janar, 2026
spot_img

KALLXO: Shteti i la pa pensione të dhjetorit familjet e 24 policëve të rëndë në detyrë

Familjet e 24 zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët kanë humbur jetën në krye të detyrës, kanë mbetur pa pensione, ndonëse këto pagesa janë të garantuara me Ligj.

Familjet e 24 zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët kanë humbur jetën në krye të detyrës, kanë mbetur pa pensione, ndonëse këto pagesa janë të garantuara me Ligj.

Pensionet e muajit dhjetor nuk janë ekzekutuar për shkak të mungesës së buxhetit, ndërsa Sindikata e Policisë së Kosovës paralajmëroi se vonesat mund të përsëriten edhe në muajt në vijim.

Në mëngjesin e 9 janarit, KALLXO.com pranoi shqetësime të familjeve të policëve të rënë të cilët treguan se nuk kanë marrë pensionet e muajit dhjetor 2025. E për këto vonesa apo mungesa, thanë edhe se nuk kanë marrë asnjë arsye.

KALLXO.com fillimisht ka kontaktuar edhe me Sindikatën e Policisë së Kosovës. Kreu i sindikatës Avdi Hoti fillimisht tha se nuk kishte informacione për këtë çcështje deri sa kishte biseduar edhe me zyrën e financave në Polici.

Vetëm për një muaj nevojiten rreth 290 mijë euro për pensionet e kësaj kategorie. Megjithatë, pavarësisht kërkesave të cilat kryetari i Sindikatës së policisë tha se janë të përsëritura dhe paralajmërimeve të hershme të Policisë së Kosovës drejtuar Ministrisë së Financave, mjetet financiare nuk janë lëshuar në Thesarin e Shtetit.

Në një telefonatë me KALLXO.com, Hoti tha se situata konsiderohet alarmante nga përfaqësuesit sindikalë, të cilët thonë se përveç pensioneve të familjarëve të policëve të rënë në detyrë, në rrezik janë edhe pagat e zyrtarëve policorë aktivë.

“Jo vetëm që jam i shqetësuar për këtë muaj, por ekziston rreziku që edhe muajin tjetër të ketë vonesa. Edhe nëse pagesat lëshohen tani, ato janë për muajin dhjetor, ndërsa për janarin sërish do të ketë vonesa, pasi nuk ka mjete as për paga të policëve, e as për këtë kategori”- ka deklaruar Hoti për KALLXO.com.

Ai thotë se Policia e Kosovës ka vepruar me kohë, duke paralajmëruar institucionet përgjegjëse për situatën që pritej të ndodhte.

“Drejtoria e Financave brenda Policisë së Kosovës ka bërë kërkesa me kohë, sepse e ka ditur që do të vijë ky problem. Por as Ministri i Punëve të Brendshme dhe as Ministri i Financave nuk kanë reaguar. Të gjitha kërkesat janë dërguar në Ministrinë e Financave për t’u proceduar në Thesar, por nuk janë ekzekutuar”- ka shtuar Hoti.

Sipas tij, është e papranueshme që familjet e policëve të rënë në detyrë të lihen pa mbështetje financiare, ndërkohë që buxheti ndahet për kategori të tjera.

“Kur ka mundësi të ndahen nga 100 euro për kategori të tjera, ndërsa familjet e policëve të rënë në detyrë, një kategori e shenjtë për këtë vend, mbeten pa pensione, kjo është e papranueshme”- ka theksuar ai.

Ligji për Policinë e Kosovës, në nenin 48, parasheh kompensim për vdekje në detyrë apo gjatë kryerjes së detyrës. Sipas këtij neni, bashkëshorti ose fëmijët nën moshën 18 vjeç të zyrtarit policor që vdes në detyrë përfitojnë ndihmë financiare të menjëhershme në vlerë të gjashtë pagave mujore bruto, me kusht që të kenë qenë të varur financiarisht nga zyrtari para vdekjes së tij. Në raste të veçanta, Qeveria mund të ndajë edhe shumë më të lartë financiare.

KALLXO.com ka dërguar kërkesa për sqarim lidhur me këtë çështje në Ministrinë e Financave, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, asnjë nga këto institucione nuk ka kthyer përgjigje.

Reagimi i Sindikatës së Policisë së Kosovës për këtë çështje ka ardhur vetëm pas interesimit të KALLXO.com, pas ankesave dhe shqetësimeve të shprehura nga familjet e policëve të vrarë në detyrë./kallxo.com

TË FUNDIT

TË FUNDIT