-2 C
Mitrovice
E mërkurë, 31 Dhjetor, 2025
spot_img

Aktakuzë për korrupsion ndaj 12 zyrtarëve, përfshirë të MASHT’it – dëmi mbi 7 milionë euro

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave fizikë dhe tre personave juridikë për korrupsion, përfshirë zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Ata dyshohen për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar “,“Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik“ dhe “Falsifikimi i dokumenteve“.

Ata akuzohen se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë mbi 7 milionë euro.

Sipas aktakuzës, të pandehurit persona fizik: N.D., A.M., A.B., Xh.B., M.Z., F.D., F.Z., A.Sh., M.L., D.L., A.B., I.E., dhe të pandehurit persona juridik: ”A&F P. Sh.p.k, ”S. Sh.p.k”, ”Sh.G Sh.p.k”., kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, kanë falsifikuar dokumente dhe kanë mashtruar në procedurat e prokurimit publik me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.

“Të pandehurit A.M, N.D., nga 02.04.2019 e deri më 11.03.2021, në cilësinë e personave zyrtarë pranë MASHT, kanë hartuar kritere përzgjedhëse në procedurat e tenderimit “Blerja e pakove të pajisjeve të nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje”, të cilat favorizonin operatorin fitues dhe përjashtonin padrejtësisht operatorë të tjerë. Si pasojë e këtyre veprimeve, është shkaktuar dëm i përgjithshëm në buxhetin e shtetit në vlerë prej 1,824,970.00 euro. Të pandehurit A.B., Xh.B., M.Z., N.D. dhe A.M., nga 26.10.2020 deri më 27.11.2023, në cilësinë e personave zyrtarë pranë MASHT, në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, kanë kontraktuar produkte me çmime deri në 1900% më të larta se ato të tregut duke i shkaktuar buxhetit dëm prej 2,148,282.35 euro”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, në kundërshtim me kushtet e kontratës, ata kanë lejuar dorëzimin e produkteve me origjinë nga Kina dhe Turqia në vend të produkteve me origjinë nga Bashkimi Evropian, siç ishte përcaktuar në kontratë.

“Si pasojë e këtyre veprimeve, është shkaktuar dëm i përgjithshëm në buxhetin e shtetit në vlerë prej 3,626,243.80 euro”, përfundon njoftimi./Reporteri.net

TË FUNDIT

TË FUNDIT