Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka përfunduar numërimi i fletëvotimeve për subjektete politike i zhvilluar nga votimi i rregullt dhe se ka nisur numërimi i votave të kandidatëve për deputetë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net se numërimi ka nisur në sallën “1 Tetorit” në Prishtinë.
“Të dielën në mbrëmje, është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve për subjektet politike në 2,557 vendvotime ku është zhvilluar votimi i rregullt. Sipas procedurave, të gjitha materialet zgjedhore janë tërhequr dhe vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit në 38 komunat e vendit.
“Përveç numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, në këto qendra, sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për Qendrat Komunale të Numërimit, do të bëhet edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët që janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve”, tha Elezi.
“Ky proces, i njëjtë do të bëhet në 38 Qendra Komunale të Numërimit, në të cilat do të punohet me dy orare. Numërimi i votave të kandidatëve dhe verifikimi i rezultateve, do të bëhet duke ofruar transparencë të plotë dhe nën monitorimin e vëzhguesve”.
Ai gjithashtu ka folur edhe për votat me kusht, ku siç tha janë evidentuar 9 mijë e 900 votues të regjistruar, ndërsa 2 mijë e 860 janë votues me nevoja të veçanta.
“Sipas të dhënave preliminare, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht. Së shpejti do të kemi edhe të dhënat nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i cili është realizuar jashtë vendvotimeve. Numri i votuesve të regjistruar në këtë program votimi ka qenë 2,860”, tha ai.
Për votimin jashtë Kosovës, Elezi tha se nga 19 mijë e 187 mijë shtetas të regjistruar, kanë votuar 16 mijë e 165 prej tyre.
Nga ai përmes postës kanë qenë të regjistruar 58 mijë por që ende nuk ka të dhëna përfundimtare për numrin e pakove të fletëvotimeve.
“Nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi në 29 përfaqësi diplomatike, nga 19,187 shtetasit e regjistruar, kanë votuar 16,165 prej tyre apo 84.24%. Ndërkaq, nga votimi përmes postës, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë. Nga ky lloj votimi, ende nuk kemi të dhëna përfundimtare për numrin e pakove me fletëvotime pasi këto të dhëna do t’i kemi pas përfundimit të procesit të tërheqjes së tyre nga kutitë postare. Sipas të dhënave preliminare, vetëm nga tërheqjet e dy kutive postare, në Berlin dhe Bern, janë tërhequr 18 mijë pako të supozuara me fletëvotime”, deklaroi Elezi.
/Reporteri.net/






