-0.3 C
Mitrovice
E shtunë, 27 Dhjetor, 2025
spot_img

Bedri Hamza: Premtojmë zgjidhje – rritje 50% për paga dhe pensione, heqje e TVSh-së për produkte bazë dhe fatura të energjisë elektrike

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sonte tubimin e saj përmbyllës, ku kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, po jep mesazhet finale para mbështetësve.

Hamza e nisi adresimin e tij duke ndarë një moment personal nga takimet e shumta gjatë fushatës, i cili ilustron gjendjen reale të qytetarëve.

“Kam pasur biseda të këndshme, por edhe të rënda. Megjithatë, një nuk do ta harroj kurrë. Një pensionist më tha: unë nuk kërkoj luks, dua vetëm të mos detyrohem që të zgjedh mes ilaçeve dhe ushqimit. Ky nuk është rasti i vetëm që e kam dëgjuar në këto takime, sepse kjo është përditshmëria e shumë familjeve në Kosovë – frikë nga e tashmja dhe nga e ardhmja. Pikërisht për këtë unë dhe PDK kërkojmë besimin dhe votën tuaj, sepse ju kuptojmë dhe kemi përgjigje për ju.” – tha ai.

Zotimet konkrete të “Paketës Hamza”

Duke kërkuar besimin e qytetarëve për të ndryshuar këtë realitet, Hamza theksoi se PDK nuk ofron mrekulli, por zgjidhje të matshme dhe të menjëhershme. Ai shpalosi pikat kryesore të programit të tij qeverisës:

· Rritje pagash: Rritje prej 50% për pagat në sektorin publik, për të rikthyer dinjitetin e punës.

· Rritje pensionesh dhe ndihmash: Rritje 50% e pensioneve dhe skemave sociale, me pensionin më të ulët të garantuar në 250 euro.

· Heqja e TVSH-së: Zero për qind (0%) TVSH për produktet esenciale të shportës së konsumatorit dhe 0% TVSH për energjinë elektrike.

· Ulje taksash: Ulje të tatimit në të ardhura për të lënë më shumë para në xhepat e qytetarëve.

“Ne nuk premtojmë mrekulli, por zgjidhje – rritje 50 për qind e pagave që puna të shpërblehet me dinjitet. Rritje 50 për qind e pensioneve dhe ndihmave sociale, sepse askush nuk do të jetojë në pasiguri. Pensioni më i ulët 250 euro. Zero për qind TVSH për produktet esenciale që shporta e familjes të jetë më e përballueshme. Zero për qind TVSH për energjinë elektrike që fatura të mos jetë barrë. Ulje të tatimit në të ardhura që më shumë para të mbeten tek ju. Këto janë vendime që ua ndryshojnë jetën, por këto ndodhin vetëm nëse ju dilni dhe votoni PDK-në.” – tha Hamza.

Hamza deklaroi se këtë fushatë nuk e ka drejtuar nga zyrat e mbyllura, por duke prekur realitetin e qytetarëve në rrugë, fabrika dhe shtëpi.

Pas shfaqjes së një video-rekapitulimi të rrugëtimit të tij, Hamza theksoi se ajo çfarë ka parë është “Kosova reale”, me njerëz që kërkojnë përgjegjësi dhe drejtësi.

“Kam dëgjuar shpresë. Por kam dëgjuar edhe zhgënjime. Mbi të gjitha, kam dëgjuar një kërkesë të qartë: “Mos na lini vetëm. Fitoni dhe bëjeni ndryshimin”. Sonte dua t’ua tregoj këtë rrugëtim. Jo për mua. Por, për qytetarët e Kosovës. Ju ftoj ta ndiqni një rekapitulim të këtij rrugëtimi që e kemi bërë bashkë këtë muaj”, ka thënë Hamza, ku më pas është transmetuar edhe një video e fushatës së tij.

“Kjo që patë nuk është vetëm një fushatë. Është Kosova reale. Janë qyetarët që presin përgjegjësi. Janë familje që presin drejtësi. Janë të rinj që duan ta ndërtojnë jetën këtu, jo të largohen. Tani jemi në momentin vendimtar. Mos e lini dikë tjetër të vendosë për ju. Mos e lini votën tuaj në shtëpi. Flisni me familjen. Me miqtë. Me fqinjët. Dhe të dielën në mëngjes dilni dhe votoni. Sigurohuni që të gjithë të dalin dhe ta votojnë numrin 130. Merreni me vete familjen. Ndihmoni prindërit, gjyshërit, fqinjët. Telefononi një mik dhe kujtojani. Sepse, çdo votë është përgjegjësi”, ka thënë Hamza.

TË FUNDIT

TË FUNDIT